Shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Infrastrukturës në Drenas, akuzohet për ndotje të ujit të pijshëm

Kosova

Shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Infrastrukturës në Drenas, akuzohet për ndotje të ujit të pijshëm

Më: 16 prill 2021 Në ora: 11:28
Ilustrim

Drenas – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka dështuar të vazhdoj gjykimi ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Infrastrukturës Publike në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, i akuzuar për veprën penale “ndotja e ujit të pijshëm”.

Seanca e së premtes nuk u mbajt si pasojë e mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hysenaj, avokatit Nasuf Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shefqet Baleci bëri të ditur se avokati Hasani, përmes një parashtrese, me 25 mars 2021 e ka informuar gjykatën se e ka te pamundur të jetë i pranishëm në seancë, me arsyetimin se në të njëjtën datë e ka një gjykim tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Bazuar në këtë, gjykatësi Baleci tha se gjykata i ka njoftuar të akuzuarin, palën e dëmtuar dhe dëshmitarët që të mos paraqiten në gjykatë, në mënyrë që mos krijohen shpenzime të panevojshme, pasi nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Mirëpo, e pranishme në sallë të gjykimit ishte prokurorja Nebahate Salihu.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 21 maj 2021, nga ora 09:30.

Prokuroria Themelore në Prishtine, me 29 shtator 2019, ka përpiluar aktakuzë kundër Idriz Hysenajt, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “ndotja e ujit të pijshëm” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 264 ,paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1, lidhr me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, Idriz Hysenaj akuzohet se nga 5 gushti 2019 e në vazhdimësi, në fshatin Tërstenik të Komunës së Drenasit, nga pakujdesia e ndot ujin të cilin familja e ankuesit Musa Kukaj e përdorë për pije, duke rrezikuar shëndetin e tyre.

Në aktin akuzues thuhet se këtë e ka bërë në atë mënyrë që gjatë implementimit të projektit për shtrirjen e kanalizimit në këtë fshat, të datës 12 prill 2019, nga ana e Komunës së Drenasit, i akuzuari në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Infrastrukturës Publike në Komunën e Drenasit, nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për evitimin e rrjedhës së ujërave të zeza të zeza, të cilat rrjedhin në përroin në afërsi prej 2-3 metra afër pusit të ujit të pijshëm në pronën e të dëmtuarit Musa Kukaj.

Më këtë rast, sipas aktakuzës, ujërat e kanalizimit kanë vërshuar dhe kanë hyrë në pusin e të dëmtuarit, duke e ndotur ujin e pijshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat