Boshnjakët ankohen te Konjufca, duan rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë

Kosova

Boshnjakët ankohen te Konjufca, duan rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë

Më: 16 prill 2021 Në ora: 20:41
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësues të komunitetit boshnjak, që i përkasin subjektit politik parlamentar VAKAT, në krye me Rasim Demirin. 

Ata e kanë uruar Konjufcën për detyrën e re, si dhe janë shprehur mirënjohës për përfshirjen e tyre në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. 

Krerët e koalicionit VAKAT kanë shfaqur si shqetësim kriteret e ashpra të regjimit të vizave, që Republika Federale e Bosnje Heregovinës vazhdon t'i aplikojë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetin boshnjak të Kosovës. Ata theksuan se kufizimet e tilla janë të padrejta, johumane dhe cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë të njerëzve, dhe se pengesat e tilla ndodhin për shkak të qëndrimeve të Republikës Serbe, një entitet i krijuar mbi masakra e gjenocid brenda territorit të Bosnje Hercegovinës.

Gjatë takimit, krerët e koalicionit VAKAT kanë ngritur edhe çështjen e miratimit nga Kuvendi i Kosovës të një rezolute nëpërmjet të së cilës do të dënohej gjenocidi i Serbisë në Srebrenicë. 

Kryekuvendari Glauk Konjufca falënderoi përfqasësuesit e koalicionit VAKAT dhe shprehu mbështetje për çështjet e ngritura, si dhe përkrahje të gjithanshme për komunitetin boshnjak të Kosovës.​

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat