​Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk po gjen zbatim

Kosova

​Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk po gjen zbatim

Më: 8 qershor 2021 Në ora: 13:29
Arben Fejza

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) ka iniciuar shtatë raste në gjykatat përkatëse ndaj komunave të cilat nuk kanë respektuar të drejtat e njeriut. Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Kosovë nuk po gjen zbatim, madje sistemi i drejtësisë dhe administrata publike nuk din as se si të zbatojnë legjislacionin në fuqi. Për këtë po thuhet se ngutia për të aprovuar ligje po sjell edhe probleme në zbatim të tyre. Derisa në Kosovë ka shumë raste të diskriminimit, nga Zyra e Kryeministrit është thënë se janë duke punuar në identifikimin e këtyre rasteve dhe mbështetjen e tyre nga institucionet përkatëse.

Kështu u tha në publikimin e raportit nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) me temën “Mbrojtja nga diskriminimi në Kosovë”.

Arben Fejza nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore ka prezantuar këtë raport duke bërë të ditur se janë të përfshira disa institucione të cilat janë përgjigjur në pyetjet se sa zbatohet Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Fejza: MAPL ka iniciuar 7 raste kundër komunave për mosrespektim të të drejtave të njeriut

"Prej 36 komunave sa janë gjithsej, vetëm 26 komuna kanë caktuar zyrtarin e tillë, ndërsa 10 nuk e kanë bërë një gjë të tillë. MAPL ka iniciuar 7 raste në gjykatat përkatëse kundër komunave për mos respektim të të drejtave të njeriut. Një e gjetur tjetër që e ka raportuar MAPL është se sa i përket politikave të brendshme që i ka se ka miratuar një strategji për qeverisje lokale që është prej vitit 2016 deri në vitin 2026 dhe një plan të veprimit që është për vitin 2020”, ka theksuar ai.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se Kosova ende nuk ka pasur një rast deri në fund qe dëshmon zbatimin e legjislacionit anti-diskriminim. Sipas saj, ka shumë grupe shoqërore që në vend janë duke u diskriminuar.

Demolli: Shteti i Kosovës nuk e ka asnjë rast i cili është trajtuar në bazë të legjislacionit

"Shteti i Kosovës ende nuk e ka një rast, i cili e ka trajtuar me legjislacion përpos rasti i Blend Morinës, rastet tjera nuk është që janë trajtuar deri në fund që është përdorur dhe aktivizuar makineria e legjislacionit anti-diskriminim. Prandaj kemi dashur që pak a shumë në mënyrë më të thellë të njëjtit kënd të komuniteteve të margjinalizuara që janë në Kosovë, siç janë gratë, komuniteti LGBTI, minoritetet në Kosovë dhe kemi realizuar këtë hulumtim. Kemi bërë edhe aktivitete të tjera dhe jemi në përfundim të një test të diskriminimit. Nuk e kemi asnjë person të deklaruar në Kosovë që i takon komunitetit LGBTI në institucionet tona publike. Ne kemi persona që punojnë por askush nuk guxon të deklarohet që i takon një komuniteti tjetër, ka theksuar ajo.

Për më tepër, ajo shtoi se zbatuesit e ligjeve në Kosovë nuk e kanë me prioritet trajtimin e këtyre rasteve, ndërkohë që në gjykata pritjet janë më shumë se 9 vjet për raste të caktuara.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo ka kërkuar zbatimin e kornizës ligjore dhe mbrojtjen e grave.

Lobbezoo: Është e rëndësishme të ketë një kornizë të fortë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

“Vitet e kaluara na kanë dëshmuar se ka pasur progres, dhe megjithëse institucionet ndonjëherë nuk janë të gjitha në të njëjtin nivel të zbatimit, ka vetëdijesim. Për të vazhduar këtë progres, sigurisht që hapat e ardhshëm janë të nevojshëm. Dhe raporti përfshin një listë substanciale të rekomandimeve për të gjitha institucionet e përfshira[...]Është e rëndësishme të kemi një kornizë të fortë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të kemi një ligj mbi mbrojtjen nga diskriminimi dhe ligjin për barazinë gjinore, përfshirë institucionet dhe mekanizmin që mbron ato të drejta, por kjo punë duhet të vazhdojë në zgjerimin e barazisë në legjislacioni e ri, si për shembull në kodin civil, por për disa në shoqëri kjo nuk mjafton. Pa fajin e tyre, ata përballen me diskriminime, qofshin direkte apo indirekte”, ka deklaruar ajo.

Më tej, avokati i Popullit, Naim Qelaj konsideron se ngutia për të aprovuar ligje pa analizuar situatën në terren po shkakton probleme në zbatimin e ligjit.

Qelaj: Administrata e shtetit dhe sistemi i drejtësisë nuk e ka të qartë zbatimin e këtij ligji

"Vështirësi paraqet që në ligj janë të përcaktuara tri procedura që nuk janë të sqaruara. Besoj që edhe sistemi i drejtësisë edhe administrata shtetërore nuk është që e kanë shumë të qartë se si me i zbatuar të gjithë ato kërkesa që janë të paraqitura në ligj. E para është procedura kundërvajtjes, nuk është përcaktuar mirë se kush e inicion procedurë, kush e dërgon në gjykatë, cila është procedura që zbatohet dhe shumë aspekte të tjera që duhet të ketë një ligj të zbatuar”, ka theksuar Qelaj.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë, të Drejtat e Njeriut, mundësitë e barabarta dhe jo-diskriminim në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini ka thënë se është sfiduese zbatimi i legjislacionit kundër diskriminimit. Ai tha se janë duke punuar në jetësimin e dy nismave me Këshillin e Evropës ku do të identifikohen së paku katër raste të cilat do të ndihmohen.

Hajredini: Presim që të identifikojmë katër raste në këtë periudhë

"Presim të identifikojmë katër raste në këtë periudhë fillestare, jemi duke diskutuar dhe debatuar. Natyrisht kemi mobilizimin dhe angazhim institucional që të merren veprime të tilla. Ideja nuk është që vetëm të identifikohet një rast që ka ndodhur diskriminimi i çfarë do forme në shkollë, familje. Ne obligohemi, institucioni përgjegjës që të marrë veprimin”, ka deklaruar Hajredini.

Nga Avokati i Popullit është kërkuar që të promovohet më shumë zbatimi i legjislacionit, të merret me rastet e diskriminimit po ashtu edhe të monitorojë se a po zbatohen rekomandimet që dalin nga ky institucion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat