​Vushtrria shënon Ditën e Çlirimit, Tahiri: Më 17 qershor agoi dielli i lirës

Kosova

​Vushtrria shënon Ditën e Çlirimit, Tahiri: Më 17 qershor agoi dielli i lirës

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 13:46
Xhafer Tahiri

Qyteti i Vushtrrisë sot shënon Ditën e Çlirimit, për çka u mbajt edhe akademi.

I pari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri u shpreh se më 17 qershor agoi dielli i lirisë dhe lindi shpresa për një të ardhme më të mirë për të gjithë vendin duke theksuar edhe se Vushtrria pagoi shtrenjtë për lirinë e saj.

Tahiri tha edhe se në 22 vjetorin e lirisë është momenti i duhur që të mos ngatërrohet politika me shtetin.

Tahiri: Më 17 qershor agoi dielli i lirisë

“Është privilegj i madh për mua që sot në këtë ditë e bashkë shënojmë ditën e Çlirimit të Vushtrrisë 17 qershorin. Në këtë ditë të bekuar agoi dielli i lirës, lindi shpresa jonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne për të gjithë e Vushtrrisë e Republikës së Kosovës. Le të rikujtojmë edhe në këtë ditë të shënuar e për të mos harruar kurrë që liria jonë që sot po e festojmë u la me ndjerës nga puna e palodhshme e gjeneratave të arta të vendit tonë, u la me lotët e nënave për fëmijët e vrarë , ndërsa kjo tokë e bekuar u ringjall 22 vite më parë e rilind në çdo përvjetor me gjakun e dëshmorëve të kombit, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe martirëve të lirisë. 17 qershori, kjo datë jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e qytetit tonë të vjetër shënon fundin e shtypjes së populli të Vushtrrisë dhe Kosovë nga regjimi gjenocidal serb”, tha Tahiri.

I pari i komunës ka kujtuar edhe masakrat e Studimes.

Tahiri: Vushtrria e pagoi shtrenjtë lirinë tonë

“Sot unë dhe secili nga përulemi me respekt para kujtimit për ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, atdheut tonë të shtrenjtë. Vushtrria e pagoi shumë shtrenjtë lirinë tonë. Prandaj ne sot edhe në këtë përvjetor kujtojmë me mall dhe krenari të rënët në masakrën e Studimes të 2 majit 1990 dhe të rënët e masakrës së 22 majit të vitit 1999. Le të mos harrojmë që për lirinë tonë, miqtë tanë SHBA, NATO dhe BE u angazhuan për aksionin e NATO-së për lirinë e Kosovës dhe për shpëtimin e popullit të Kosovës nga forcat e agresorit serb. E kjo padyshim paraqet veprimin më human që ka ndërmarr bota demokratike në emër të lirisë njerëzore”, u shpreh Tahiri.

Veç kësaj Tahiri nuk e kaloi pa përmendur edhe qytetarët të cilët humbën jetën si shkak i infektimit me virusin korona.

Tahiri: Kujtojmë 61 qytetarët që humbën jetën nga COVID-19

“Jam tepër i kënaqur e krenar sepse bashkë po e kalojmë një nga sfidat më të mëdha të këtij 100 vjeçari, pandeminë e koronavirusit. Ishte një vit i rëndë për secilin nga ne. Mbi 1600 qytetarë të Vushtrrisë u infektuan me këtë virus, ndërsa 61 qytetarë i humbëm në betejën me këtë virus të keq. Secili nga ne kishim frikë, ankth, dhimbje por jam krenar që tek secili nga qytetarët e Vushtrrisë pashë, solidaritetin e pashembullt në këtë betejë[...]unë i kujtoj me mall 61 qytetarët që humbën jetën në këtë betejë”, tha Tahiri.

Ata që e përjetuan robërinë, sipas Tahirit u rritën duke pasur lirinë në ëndrrat e tyre për çka tha se shteti duhet të ruhet dhe fuqizuar.

Tahiri: Ne që përjetuam robërinë u rritëm duke e pasur lirinë në ëndrrat tona

“Ne që e përjetuam robërinë u rritëm duke e pasur lirinë në ëndrrat tona, por pa e ditur si është përjetimi i lirisë. Prandaj në 22 vjetorin e lirës sonë, është momenti i duhur që të rimendojmë raportin tonë individual si qytetarë me lirinë tonë dhe me shtetin e Kosovës, nuk duhet të ngatërrojmë politikën dhe shtetin. Ndërsa shumë të rinj kanë shumë pakënaqësi e mllef me paaftësinë e politikës për t’i zgjedhur problemet e sotme të rinisë. Shteti ynë duhet të ruhet, duhet ndërtuar dhe fuqizuar. Gjithsecili nga ne është përgjegjës për fuqizimin dhe për ruajtjen e shtetit tonë, republikës sonë, Kosovës dardane”, theksoi Tahiri.

Fjalë rasti pati edhe Safet Hasani nënkryetari i shoqatës së invalidëve të luftës. Ai tha se se 17 qershori ishte dita kur qytetarët e Vushtrrisë dhe Kosovës realizuan aspiratat për liri e demokraci.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK, Safet Hasani, nënkryetar i shoqatës së invalidëve të luftës

Hasani: 17 qershori ishte dita kur qyteti ynë përfundimisht frymon lirshëm

“17 qershori i vitit 1999 ishte dita kur qyteti ynë përfundimisht frymon lirshëm, nga dhuna dhe agrsori serb. Ishte dita kur qytetarët e Vushtrrisë e tërë Kosova pas përpjekjeve gati shekullore u realizuan aspiratat nacionale për liri e demokraci. Në këtë ditë madhështore duke kujtuar të kaluarën dhe historinë tonë ne i kujtojmë vetes obligimet që kemi ndaj atyre që kanë, dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të cilët u sakrifikuan për lirinë, demokracinë e Kosovës", tha ai. 

Në këtë 22 vjetor u nda edhe çmimi “nderi i qytetit” . çmim ky që iu nda ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

Mulaku: Ndihem i vlerësuar për çmimin

“Faleminderit i nderuar kryetar i komunës Xhafer Tahiri për respektin, për vlerësimin, realisht e ndjejë vetën të nderuar,. Në këtë rast më përket të falënderoj edhe gjithë deputetë e kuvendit të Komunës dhe gjithë ata që menduan që unë meritoj këtë. Unë them sinqerisht se kur më ka thirr kryetari në telefon iu kam lutur që të zgjedh dikë tjetër sepse ka shumë që e meritojnë këtë çmim. E ndjeva vetën të emocionuar për këto mirënjohje që u ndanë që me të vërtetë që prej tyre që e meritojnë janë edhe më tepër se sa unë[...]urime Dita e Çlirimit të Vushtrrisë, urime edhe përvjetori i 22-të i çlirimit të Kosovës. mendoj që këta përvjetor janë të rëndësishme për secilin prej nesh që të reflektojnë në dy gjëra të rëndësishme, e para që shumë gjenerata e kanë aspiruar këtë liri që po e përjetojmë ne tash dhe këtë aspirim e kanë paguar shtrenjtë gjeneratat e kaluara të popullit tonë”, tha ai.

Titulli qytetar nderi u nda për Enver Oruqaj.

Mirënjohja e parë iu nda Hajzer Beqirit për kontributin e dhënë për çështje kombëtare, që njëherit është babai i heroit Bastri Beqiri. Më pas, çmime u ndanë edhe për Lulëzim Krasniqi, post-motrum për kontributin e dhënë si luftëtarë i UÇK-së, Besim Shyti për kontributin e dhënë si veteranë i luftës së UÇK-së, Hajrullah Saraçi për kontributin e dhënë si mjek dhe ish-drejtor i spitalit të qytetit tonë, Mihane Kadriu për sakrificën e familjes e cila për luftën për lirinë humbi bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, mirënjohje ndahet edhe për Jakup Nezirin për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, Shaip Azemi për kontributin e dhënë si ish-punëtor i arsimit, Nebahate Zahitri për kontributin e dhënë si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Ferat Isufi, punëtor teknik në QKMF, Jusuf Hajredinaj për kontributin e dhënë në fushën e Arsimit, mirënjohje ndahet edhe për Shaqir Musliu për kontributin e dhënë si veteran i UÇK-së, Ferki Rshica për kontributin e dhënë për klubin e futbollit Kosova e Vushtrrisë, Zenel Bunjaku për kontributin e dhënë për zhvillimin e ekonomisë së vogël dhe bujqësisë Flora Shabani për kontributin e dhënë në biznese dhe për bashkëpunim shembullor me grupin e grave asamblistë të Kuvendit të Vushtrrisë dhe çmime të tjera. Më këtë rast pati edhe pikë muzikore nga ansambli i këngës dhe valleve "Hasan Prishtina".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat