​Kurti uron Bajramin: Me sakrificë e angazhim Kosovën do ta bëjmë shtet të fortë

Kosova

​Kurti uron Bajramin: Me sakrificë e angazhim Kosovën do ta bëjmë shtet të fortë

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 06:05
Albin Kurti

(E plotësuar) - Besimtarët myslimanë sot po kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Në vendin tonë kjo festë nisi me faljen e sabahut dhe të namazit të Bajramit në praninë e besimtarëve në të gjitha xhamitë e vendit, ndërsa manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Mesazhi i kësaj feste këtë vit u përqendrua të rëndësia e familjes duke kundërshtuar, siç u tha, nismat moderne që godasin familjen e shëndoshë. Këto qëndrime u tha se janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Zotit dhe kundër natyrshmërisë së njeriut.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, që dha mesazhin e festës fillimisht u ndal të rëndësia e festë së Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët, festë kjo që vjen pas kryerjes së haxhit.

Image
Naim Ternava

Tërnava: Kurban Bajrami, festë e rëndësishme për besimtarët myslimanë

“Festa e Kurban e Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme për besimtarët myslimanë sepse vjen pas përfundimit të haxhit në vendet e bekuara dhe therjes së kurbanit. Haxhi është ndër kushtet themelore të fesë islame i cili kryhet në kohë të caktuar, në vend të bekuar dhe kushte të veçanta ku në mënyrën më të mirë manifestohet barazia, drejtësia, uniteti, pendimi e reflektimi për punë e vepra të mira. Qëndrimi në arafat është ndër momentet më të veçanta për besimtarët myslimanë ngase në atë vend kuptimi i lutjes dhe ibadeti ka vlerë e peshë të veçantë”, tha Tërnava.

Myftiu i Kosovës tha se prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhje gjaku por mbi të gjitha është përkushtim, bindje e sakrificë dhe dëshmi e devotshmërisë së besimtarit për Zotin. Sipas tij, prerja e kurbanit është obligim për të gjithë ata që kanë mundësi që është një shenjë afrie dhe devotshmërie për Krijuesin.

Begatia e rëndësishme e kësaj feste u tha se është edhe sofra e Bajramit e cila në bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjet e të afërmit tanë e na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin dhe përkrahjen tonë.

Tërnava u shpreh se nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë botë se sa ruajtja e familjes dhe edukimi i saj i drejtë.

Tërnava: Familja është e shenjtë

“E kemi për obligim fetar por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen. Ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Për ne familje është e shenjtë prej secilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe llojit njerëzor mbi tokë. Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përben një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe forca dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit”, vijoi Tërnava.

Tërnava doli kundër edhe nismave dhe qëndrimeve që tha se janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë. Ai theksoi se ne duhet të kemi nënë e baba biologjikë.

Ai tha se si shoqëri kemi traditën shumëshekullore në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave familjare që e kemi të trasuar nga të parët tanë. Sipas tij mbështetja në familje na ka bërë të mundur që të përballemi me stuhi nga më të ndryshmet por ia kemi dalë gjithherë faqebardhë.

Myftiu i Kosovës u shpreh se si shoqëri nuk jemi diskriminues por nuk heshtur kur diçka shkon kundër vullnetit të Zotit.

Tërnava: Nisma për të goditur familjen janë në kundërshtim me Zotin

“Nismat dhe qëndrimet për ta goditur familjen janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Krijuesit të Gjithësisë dhe kundër natyrshmërisë së njeriut. [...] Andaj në këto kohë nuk duhet tundur pas nismave gjoja moderne për të dëmtuar familjen. Aq më tepër kur gjatë historisë është dëshmuara se shoqëria jonë nuk është shoqëri diskriminuese por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe natyrshmërinë e njeriut nuk mund të heshtim dhe të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit jetësor dhe kundër vullnetit të Zotit”, u shpreh Tërnava.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Duke kujtuar mesazhin e kësaj feste, që është sakrifica, Kurti tha se me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.

“Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë”, shkroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se përkundër që këtë vit Bajrami festohet siç e do tradita të gjithë duhet të kujdesen për higjienën e distancën sociale pasi pandemia është rikthyer në disa vende të botës.

“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja, për hajr Bajramin!”, përfundoi Kurti.

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin

Image

Si në gjithë botën, edhe besimtarët myslimanë në Kosovë dhe Shqipëri festojnë Kurban Bajramin.

Kremtimet nisën herët në mëngjes me faljen e namazit nëpë xhamitë në gjithë vendin.  

Festimet e Kurban Bajramit shënojnë flijimin dhe sakrificën në emër të besimit të Zotit e të dashurisë për njeriun.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e festës së Kurban - Bajramit, është sot.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban - Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban - Bajramit do ta mbajë dr. Valon Myrta - anëtar i Kryesisë së BI të Kosovës dhe njëherësh kryetar i KBI-së në Gjakovë.

Namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 05.51, të cilit do t'i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ndërsa Hytben - mesazhin e Kurban - Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, sot Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban - Bajramit, duke e lutur Zotin që të na i pranoj, lutjet dhe ibadetet tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat