​Anëtarët e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore zotohen për mbrojte e promovim të trashëgimisë kulturore

Kosova

​Anëtarët e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore zotohen për mbrojte e promovim të trashëgimisë kulturore

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 14:38
​Anëtarët e Këshillit të Trashëgimisë Kulturore/Arkiv

Anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore janë zotuar se do të punojnë në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Anëtarët e sapo zgjedhur të këtij Këshilli kanë raportuar sot në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, e nga të cilët është kërkuar që puna e tyre të jetë transparente dhe konkrete për mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Kryetarja e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi, u shpreh se qëllim kryesor të punës së tyre do ta kenë mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ajo tha se janë të përkushtuar edhe në respektimin maksimal të Ligjit për trashëgimi kulturore, një respektim të tillë deklaroi se do të kërkojnë edhe nga institucionet e tjera.

Halimi: Qëllimi jonë është mbrojta, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore

Jemi zotuar secili prej nesh që qëllimi jonë primar dhe kryesor duke e lënë anash të gjitha është mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore. Kjo moto do të na udhëheqë dhe do të na mbajë gati në të gjitha mbledhjet, do të thotë pavarësisht tekeve ndoshta personale apo gjërave të tjera ta kemi në mendje që ne jemi këtu për ta ruajtur trashëgiminë kulturore dhe kjo besoj që do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë në koordinim të mirë të të gjithë neve së bashku”, tha ajo.

Ajo tha se në mbledhjen e ardhshme do të bëjnë një raport për gjendjen, sfidat dhe problemet që i ka pasur Këshilli ndër vite, e duke u bazuar në të do të hartojnë një plan të veprimit.

Halimi u shpreh se do të punojnë në bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, si dhe në transparencë dhe llogaridhënie.

Halimi: Një prej pikave ku do të fokusohemi është bashkëpunimi ndërinstitucional

“Kemi nisur shkresa jo vetëm MKRS-së po edhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për shkak që e shohim një prej ministrive që ka ndikim meqenëse promovimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore arrihet edhe përmes planeve zhvillimore dhe hapësinore. Po ashtu, mendojmë që do të kemi bashkëpunim edhe me ministritë tjera, më konkretisht me Ministrinë e Pushtetit Lokal për shkak që edhe këto planet komunale zhvillimore dhe urbane ndikojnë në atë që e përmendi më herët kryesuesi dihet deri ku është perimetri dhe deri ku duhet të respektohet komplet atë çka e thotë Ligji për trashëgimi kulturore. Një prej pikave ku ne mendojmë se do të fokusohemi është bashkëpunimi ndërinstitucional, sepse mendojmë që një bashkëpunim të mirë ndërinstitucional ne mund ta arrijmë ta ruajmë trashëgiminë kulturore, ta mbrojmë edhe pse jo ta promovojmë”, u shpreh ajo.

Transparencë dhe angazhim të plotë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore kanë kërkuar edhe deputetët e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, tha se si anëtarë të rinj të Këshillit duhet të punojnë shumë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Uka: Është fatkeqësi e madhe për neve që shumë asete të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të dëmtohen

“E di që keni shumë punë dhe shumë sfida të cilat janë transmetuar në secilin raport, po besoj edhe ju jeni të vetëdijshëm për atë se në çfarë gjendje e kemi trashëgiminë kulturore në Kosovë. Është fatkeqësi e madhe për neve që shumë asete të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të dëmtohen, ndonjëherë edhe për shkak se mungon informimi, po në anën tjetër edhe mungon vullneti për bashkëpunim institucional. Unë kisha kërkuar prej juve që me ndërtu një mënyrë të komunikimit që ju mundëson mbi të gjitha me qenë partner të trashëgimisë kulturore”, tha ai.

Edhe deputetja e Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka kërkuar punë konkrete në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, derisa u shpreh se do të jenë të hapur për të bashkëpunuar me të gjithë anëtarët.

Reshitaj: Ka shumë nevojë për funksionalizim të këtij Këshilli të Trashëgimisë Kulturore

“Ka shumë nevojë për funksionalizim të këtij Këshilli të Trashëgimisë Kulturore, duke pasur parasysh rëndësinë që ka. Përtej rëndësisë në aspektin e artit dhe të kulturës, rëndësinë e jashtëzakonshme që ka edhe për neve si shtet , ne si Komision por edhe Komisioni për mjedis do të monitorojmë punë tuaj, do t’iu qëndrojmë kujdestar në gjithë angazhimet, mirëpo edhe do t’iu përkrahim”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit ishte paraparë edhe raportimi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, por që kryetari i Komisionit Ardian Gola tha se ky raportim do të shtyhet për shkak se ministri ka një urgjencë familjare. Po ashtu, në mungesë të kuorumit nuk është diskutuar as për procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat