MASHT ende pa vendim për hapjen ose jo të shkollave, flet ministrja Nagavci

Kosova

MASHT ende pa vendim për hapjen ose jo të shkollave, flet ministrja Nagavci

Nga: M.L. Më: 26 gusht 2021 Në ora: 12:06
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka deklaruar se rikthimi në shkolla duhet të jetë i sigurtë për të gjithë, derisa në qendër të vendimeve do ta ketë interesin më të mirë fëmijëve.

|Dje kam marrë pjesë në takimin e Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit dhe kemi diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022. Të gjithë drejtorët njoftuan se kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, raportuan për rritjen e përqindjes së mësimdhënësve të vaksinuar dhe personelit administrativ dhe se janë të gatshëm për hapjen e shkollave me prani fizike të nxënësve. Ne në ministri po ashtu, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të mbajmë shkollat të hapura dhe që mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore. Kemi rishikuar Udhëzuesin për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë, protokollet për organizimin e mësimit si dhe është punuar në skenarin që mundëson rikthimin në shkolla me orar të rregullt sipas rekomandimeve të institucioneve adekuate. Gjithashtu, kemi filluar edhe shpërndarjen e teksteve shkollore dhe përgatitjet tjera të nevojshme”, u shpreh Nagavci.

Ajo tha se ka për synim mbajtjen e shkollave të hapura dhe që mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore për arsye se të gjitha studimet tregojnë për pasojat e mëdha tek fëmijët për shkak të mbylljes së institucioneve shkollore.

“Raportet për mësimin gjatë pandemisë, flasin për pengesa në qasje në mësim të rregullt, humbje në rezultate të të nxënit, rritje të pabarazisë dhe pasoja afatgjate në zhvillim intelektual, kognitiv e psikosocial. Andaj, mbyllja e shkollave duhet të jetë vendimi i fundit në masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë. E vetëdijshme për pasojat që ka krijuar mbyllja e shkollave dhe mësimi në distancë, kuptoj edhe shqetësimet me të drejtë të prindërve për sigurinë shëndetësore të fëmijëve të tyre. Ndaj të njejtën brengë dhe e kemi në vëmendje e kujdes të shtuar. Ne jemi në kontakte ditore me përfaqësues të institucioneve profesionale si Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, UNICEF si dhe me përfaqësues të komunave, mësimdhënësve e prindërve”, potencoi Nagavci.

Mirëpo sipas saj, varianti i ri i virusit është shumë infektues, sulmon kryesisht grupmoshat e reja dhe është akoma i paparashikueshëm.

“Fatkeqësisht numrat e të infektuarve dhe rastet e humbjes së jetëve në javën e fundit në Kosovë, kanë qenë shumë shqetësuese. Uroj që numrat e rasteve të reja të pakësohen dhe që gjendja e të infektuarve të përmirësohet. Ne do të vazhdojmë të përcjellim me kujdes të shtuar gjendjen si dhe të kemi konsultime me profesionistët para secilit vendim”, theksoi ajo, duke shtuar se do të njoftojnë me kohë për zhvillimin e procesit mësimor.

“Çdo vendim i yni do të jetë i bazuar në vlerësimin e interesit më të mirë të fëmijëve dhe kujdesin për shëndetin publik. Do të respektojmë rekomandimet e institucioneve dhe profesionistëve shëndetësor dhe do të ndihmojmë në krijimin e parakushteve për mospërhapje të infeksionit. Vaksinohuni, vendoseni maskën, respektojeni distancën dhe kujdesuni për higjienën”, përfundoi ministrja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat