​Suma: Masat po respektohen, kemi nevojë për numër më të madh të policëve

Kosova

​Suma: Masat po respektohen, kemi nevojë për numër më të madh të policëve

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 11:39
Rufki Suma

Në komunën e Hanit të Elezit deri tani janë vaksinuar kundër COVID-19 mbi 5 mijë qytetarë. Ndërsa, masat antiCOVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma thotë se po respektohen. Derisa thekson se kanë nevojë për numër më të madh të policëve.

Suma në një intervistë për KP thotë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar pas valës së fundit të pandemisë është rritur shumë. Në këtë fluks ai thotë se kërkesat janë shtuar edhe për shkak të ndalesave për qarkullim në kufi me Maqedoninë e Veriut.

Suma: Në Han të Elezit janë vaksinuar më tepër se 5 mijë qytetarë

“Në fillim, numri i qytetarëve që kanë pasur interesim për vaksinat nuk ka qenë i madh. Mirëpo, kohën e fundit është shtuar jashtëzakonisht shumë edhe për shkak të ndalesave që po bëhen nëpër institucione dhe në kufi. Në anën tjetër, duke e parë edhe rrezikun nga kjo pandemi kërkesat e qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha. Deri më tash, vetëm në Han të Elezit janë vaksinuar më tepër se 5 mijë qytetarë, do të thotë më shumë se 5 mijë doza, ku gjysma e më shumë janë të vaksinuar me dy doza”, thotë Suma.

Ai thotë se edhe masat e marra nga ekzekutivi për parandalimin e përhapjes së pandemisë po zbatohen në mënyrë të kënaqshme.

Suma: Masat po respektohen në një përqindje jashtëzakonisht të madhe

“Të gjitha këto masa të marra nga ana e qeverisë jemi të obliguar që t’i respektojmë edhe ne edhe qytetarët. Unë mund të them lirisht që këto masa respektohen në një përqindje jashtëzakonisht të madhe, sepse e kemi prezentë edhe Policinë, por tanimë qytetarët edhe janë vetëdijesuar sepse e kanë parë rrezikun nga kjo pandemi... 100 përqind mendoj se nuk mund të zbatohen, por në masë të madhe zbatohen të gjitha rekomandimet dhe masa që janë ndërmarrë nga qeveria”, thotë ai.

Ai thotë se komuna e Hanit të Elezit ka numër të vogël të policëve, e që do të duhej të ishte edhe më i madh për shkak të pozitës gjeografike.

Teksa thotë se edhe pse në numër të vogël, këta të fundit janë prezentë në inspektimin e zbatueshmërisë së masave.

Suma: Kemi nevojë për numër më të madh të policëve

“Ne edhe kështu kemi numër te vogël të policëve. Hani i Elezit ka numër jashtëzakonisht të vogël, para një kohe ka qenë jo më shumë se 23-24 policë, që për një komunë, pavarësisht sa e vogël, është një zonë kufitare dhe është një numër jashtëzakonisht i vogël i policëve dhe ka nevojë që të jetë një numër më i madh”, thotë ai.

I pari i Hanit të Elezit flet edhe për fushatën zgjedhore që ka nisur të enjten që lamë pas, për çka thotë se duhet të shmangen tubimet për shkak të rrezikut për përhapjen e pandemisë. Tregon se ka vendosur që të mos mbajë tubime me qytetarë.

Suma: Tubimet me qytetarë gjatë fushatës mund ta përhapin pandeminë

“Këtë vit po besoj që edhe me ligj dhe me masat antiCOVID ndalohen tubimet dhe zbatohen këto vendime për shkak që tubimet e qytetarëve vetëm sa mund ta rrezikojnë apo ta përhapin më tepër pandeminë. Unë personalisht kam planifikuar që të mos mbaj fare tubime”, thotë Suma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat