Vushtrria afër finalizimit të shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e saj

Kosova

Vushtrria afër finalizimit të shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e saj

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 17:40
Foto ilustrim

Kroi i ujit në qendër të qytetit të Vushtrrisë ka shërbyer si i vetmi burim i ujit të pijshëm nga i cili janë furnizuar banorët e fshatrave të kësaj komune për rreth dy dekada. Por, në katër vitet e fundit qytetarët kanë minimizuar bartjen e ujit të pijes nga ky burim, pas investimit prej 1.8 milionë eurosh të Komunës në projektin për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit.

Tashmë mbi 80 përqind e fshatrave të Qyqavicës janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit, e Komuna po synon që deri në fund të vitit të përfundojë punimet në shtrirjen e ujësjellësit në këtë pjesë të Vushtrrisë.

Drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Berat Sadiku, thotë se deri më tash kanë realizuar mbi 7 mijë kyçje individuale në ujësjellës dhe për të përfunduar i gjithë projekti kanë mbetur të realizohen edhe 1 mijë e 500 kyçje.

Sadiku: Në pjesën e Qyqavicës nuk ka pasur ujë të pijes

“Është një projekt trevjeçar që kemi filluar në vitin 2019, planifikojmë që pjesën më të madhe ose deri në shkallën 95 përqind t’i përfundojmë punimet këtë vit. I kemi dy faza që jemi duke e zhvilluar projektin, e kemi pjesën e Qyqavicës që deri para katër vitesh nuk kemi pasur ujë në ato fshatra, ndërsa në momentin që flasim tani mbi 80 përqind e fshatrave atje e kanë tashmë ujin e pijes. Ndërsa, për pjesën lindore ose pjesën e Shalës e kemi edhe këtu në masë të madhe që vetëm kanë përfunduar kyçjet individuale, ndërsa jemi në fazën e testimit për disa fshatra edhe për disa pjesë që është dëmtuar gypi primar i ujësjellësit, jemi duke e rehabilituar këtë sistem që pritet shumë shpejt edhe në këto fshatra të Shalës të kemi ujin e pijes. Është projekt që kap vlerën e 1.8 milionë euro, është investim i Komunës së Vushtrrisë me një ndihmesë të vogël nga qeveria e Kosovës”, thotë ai.

Përveç kësaj, Sadiku bën të ditur se në bashkëpunim me donatorët janë në finalizim të ndërtimit të rezervuarit dhe stacionit të pompimit në fshatin Dumnicë e në Beçuk, projekt i cili kap vlerën e 500 mijë eurove.

Sadiku: Ka përfunduar ndërtimi i rezervuarit dhe stacionit të pompimit në fshatin Dumnicë

“Jemi në fazën përfundimtare të realizimit të këtij investimi, faktikisht ka përfunduar ndërtimi i rezervuarit dhe stacionit të pompimit në fshatin Dumnicë, e që rrjedhimisht do të zgjidh problemet për shumicën e banorëve. Ndërsa, e kemi edhe ndërtimin e rezervuarit po ashtu donacion investim nga CDI që është duke u realizuar në Beçuk, rrjedhimisht do të kemi ujë të pijes edhe për atë pjesë”, thotë Sadiku.

Qytetarët shprehen të lumtur që nuk janë të detyruar të bartin ujin e pijes nga qyteti i Vushtrrisë.

Banori i fshatit Novolan, Adem Ademi, tregon sa të rëndësishme e kishin kyçjen në rrjetin e ujësjellësit, sidomos në kohë pandemie.

Ademi: Nuk kemi pasur ujë të pijes, tash e kemi ujësjellësin

“Përpara nuk kemi pasur ujë, kemi bartur nga Vushtrria, kemi bartur prej Bajgores, kemi bartur kah kemi mundur, është fjala për ujë të pijes, nuk kemi pas ujë të pijes. Tash na ka ardhur ujësjellësi, ujë kemi, mirë është për ujë, se përpara kemi vuajtur për ujë. Për familjen time po them diku 150 metra larg e kemi bartur ujin si dimrit, si verës... Na kanë shpëtuar me ujë që na e kanë sjellë, sidomos për këtë kohë të pandemisë e na u dashke për pastrim e për higjienë e për të gjitha”, thotë ai.

Me këtë projekt, Vushtrria tashmë është shumë afër finalizimit të shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në të gjitha fshatrat e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat