Kastrati i shkruan letër kryetarit të zgjedhur të Kamenicës

Kosova

Kastrati i shkruan letër kryetarit të zgjedhur të Kamenicës

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 20:45
Qëndron Kastrati

Kryetari në detyrë i Kamenicës, Qëndron Kastrati i ka shkruar një letër kryetarit të zgjedhur, Kadri Rahmiaj.

Ndaj tij, ai kërkon që të reflektojë për reformën në arsim, e jo të bëj veprime populliste.

Kastrati i ka uruar fat dhe sukses kryetarit të ri të zgjedhur, duke i thënë që është i gatshëm të kontribuojë për të mirën e qytetarëve.

Më poshtë lexoni letrën e plotë të Kastratit drejtuar kryetarit të zgjedhur, Kadri Rahimaj.

I nderuar Kadri,

Më lejo të të uroj fitoren! Gara që lëmë pas ka përfunduar dhe tani për ty do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme. Mijëra njerëz presin nga ti udhëheqje të drejtë, të barabartë, dhe përparim të gjithëmbarshëm. Hallet e qytetarëve janë të shumta dhe shpresa për të ardhmen duhet të mos lëndohet.

Duke qenë se qytetarët vendosën për ofertën tuaj qeverisëse dhe ju keni dëshmuar që keni objektiva të ndryshme nga ne, dyshoj që do të ishe i hapur për sugjerimet e mia. Megjithatë, më lejo të të ofroj perspektivën time për disa çështje që i konsideroj veçanërisht të rëndësishme.

Fillimisht, duke qenë se besimi në institucione nga ana e qytetarëve vazhdon të jetë i ulët, shpresoj të vazhdosh përpjekjen tonë për instalimin e një qeverisje që nuk e keqpërdorë paranë publike. Në kuadër të kësaj, për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë demokratike është e domosdoshme që kabineti, por edhe stafi civil, të jetë divers duke përfshirë 50% të grave në pozita udhëheqëse, dhe përfshirje të minoriteteve në vendimmarrje.

Së dyti, tashmë është konfirmuar katërcipërisht që reforma në arsim është e domosdoshme për një arsimim cilësor dhe zhvillim të fëmijëve. Tani që e keni pushtetin, pres nga ti reflektim dhe jo veprime populliste. Në këtë rrafsh unë do të vazhdoj të jem aktiv, sepse siç e kam dëshmuar, kjo përpjekje i kalon ambiciet personale apo garën politike. Është një nga çështjet më të rëndësishme që Kosova duhet ta trajtojë seriozisht.

Së treti, Kamenica ka shumë probleme infrastrukturore të cilat kanë nevojë për zgjidhje. Mirëpo më shumë se sa për asfalt, Kamenica ka nevojë për gjallëri. Kjo do të thotë investim në aspekte të padukshme të qeverisjes, kjo nënkupton qasje jo populliste dhe përkushtim të palodhshëm në detaje. Por, më besoni që nëse do të bëni mirë në ndonjë dimension të qeverisjes, ky do të ishte investimi më i mirë që mund të bëni.

Udhëheqja e një vendi si Kamenica ishte nder për mua dhe do të jetë nder për secilin. Unë kam lënë shumëçka të jetës sime personale anash për komunitetin, dhe do ta bëja secilën herë. Ne duhet të japim shembull para së gjithash. Kjo s’do të thotë që shëndetin personal duhet ta lësh anash. 

Të uroj fat dhe suksese në këtë proces. Unë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi do të jemi të gatshëm të kontribuojmë për të mirën e qytetarëve. Mos na kurse!

Sinqerisht,

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat