Seksistat s’e kanë vendin në Gjykatë! Dhunimi nuk është “AVENTURË SEKSUALE”!

Kosova

Seksistat s’e kanë vendin në Gjykatë! Dhunimi nuk është “AVENTURË SEKSUALE”!

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 17:23
Ilustrim

“Shuarje e epshit seksual”, “shprehi jo të mira morale”, “bredhje me meshkuj”, “aventura seksuale” – këto janë vetëm disa nga shprehjet e përdorura nga Gjykata Themelore në Gjilan në aktgjykimin seksist që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012.

Hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” zbuloi se viktima, në mundësinë e parë që e pati për të ikur, i denoncoi në Polici pesë personat për përdhunim sistematik.

Arsyetimi i gjykatës për këtë vendim është skajshmërisht paragjykues në bazë të gjinisë dhe joprofesional. Gjykata i arsyeton të akuzuarit për dhunim duke thënë se vajza kishte pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin edhe pse ai ishte i gjinisë mashkullore. Pra për gjykatën, fakti që një vajzë udhëton me taksi me një burrë nënkupton pëlqimin e saj për marrëdhënie seksuale dhe të drejtën e bashkudhëtarit mbi trupin e saj! 

Gjykata vazhdon arsyetimin seksist duke thënë se “Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale”. Për gjykatën, fakti që një grua ndodhet në një hapësirë banimi me burra të ri “nënkupton” të drejtën e secilit prej tyre mbi trupin e saj.  Sipas arsyetimit të gjykatës, kjo e drejtë, në momentin e hyrjes në taksi apo në banesë, i kalon burrave që ndodhen aty.

QIKA i rikujton gjykatës dhe publikut të gjerë se integriteti fizik dhe seksual nënkupton të drejtën e secilit dhe secilës për të marrë vendime për trupin dhe jetën seksuale të tij/saj. Kjo është e drejtë fundamentale njerëzore që i takon individit sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 26) prandaj për secilin akt seksual duhet të ketë pëlqim dhe pajtim të ndërsjellë. Kur dikush nuk jep pëlqim për akt seksual, kësaj i themi përdhunim!

Kjo nuk është hera e parë që viktimat e dhunimit seksual paragjykohen nga institucionet ku ato kërkojnë drejtësi. Gjuha e përdorur në vendimet e gjykatave nuk është rastësi. Ajo shpërfaqë më së miri shtypjen gjinore dhe diskriminimin që po rëndon mbi gratë e që po mirëmbahet nga institucionet e vendit.

Për QIKA është i papranueshëm ky aktgjykim, andaj kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që menjëherë të ndërmarrë masa disiplinore ndaj gjykatësve të trupit gjykues të këtij rasti. Seksistat s’e kanë vendin në Gjykatë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat