​Peci: Strategjia për Bujqësi ka mision ta transformojë sektorin e ekonomisë agro-rurale

Kosova

​Peci: Strategjia për Bujqësi ka mision ta transformojë sektorin e ekonomisë agro-rurale

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 13:54
Peci mori pjesë në takimin e grupit drejtues për hartimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në takimin e grupit drejtues për hartimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027, në të cilin u diskutua lidhur me këtë strategji, politikë kjo e cila për qëllim ka krijimin e një baze të qartë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë, strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027, gjithashtu lidhet ngushtë me objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, asaj të Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian, si dhe përafrimin me Politikat e Përbashkëta Bujqësore dhe ka për qëllim të adresojë një sërë objektivash që ndërlidhin institucionet relevante të Republikës së Kosovës.

Ministri Faton Peci ndër tjerash theksoi se misioni i Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është që ta transformojë sektorin e ekonomisë agro-rurale duke e bërë atë gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme dhe konkurruese si brenda tregut vendor ashtu edhe jashtë saj.

“Ky dokument mes tjerash trajton rritjen e konkurrencës në sektorin agro-ushqimor, menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore, mbështetjen e bizneseve në zhvillimin e zonave rurale, sigurinë ushqimore dhe reformat e nevojshme në administratë siç edhe jemi zotuar në takimet e shumta ndërministrore, duke ri-konfrmuar parteneritetet e vendeve tona me organizata mike që i kontribuojnë zhvillimit të sektorit dhe të shkëmbëjmë eksperiencat relevante për implementimin e standardeve të IPARD”, u shpreh Ministri Peci.

Vlen të theksohet se për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 është e para, dhe se kësaj strategjie i ka paraprirë edhe një analizë sektoriale për disa nga sektorët kryesorë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, si sektori i bimëve, blegtoria dhe diversifikimi rural dhe zhvillimi i ekonomisë rurale, andaj MBPZHR përmes kësaj strategjie tanimë i ka të qarta objektivat e saj që i kontribuojnë zhvillimit të sektorit të bujqësisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat