Nuk deklaroi pasurinë brenda afatit ligjor, deklarohet i pafajshëm drejtori i Shërbimeve Publike në Deçan

Kosova

Nuk deklaroi pasurinë brenda afatit ligjor, deklarohet i pafajshëm drejtori i Shërbimeve Publike në Deçan

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 14:14
Izet Zenuni

Drejtori për Mbrojtje dhe Shërbime Publike në Komunën e Deçanit, Izet Zenuni, në seancën e së hënës, është deklaruar për akuzën se nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor.

Pasi që u njoftua me të drejtat e tij nga ana e gjykatësit Sulltan Dobraj, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Dorian Juniku, i akuzuari Zenuni deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ndihem fajtor”, deklaroi i akuzuari.

Më pas, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Dobraj e njoftoi të njëjtin se brenda afatit prej 30 ditësh mund të parashtrojë me shkrim kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar që të mbahet më 17 janar 2022.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se i pandehuri Zenuni akuzohet se nuk kishte respektuar afatin ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza e ngritur më 23 gusht 2021, ngarkon Izet Zenunin se nga 1 deri më 31 mars 2021, në Agjensionin Kundër Korrupsion (AKK), në Deçan, sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore, por nuk e bën një gjë të tillë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, si zyrtar i lartë publik, ka qenë i obliguar që nga data 1 mars deri më 31 mars të vitit 2021 të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin paraprak nga data 1 janar deri më 31 dhjetor te vitit 2020, por i njëjti një gjë të tillë nuk e bën dhe nuk e deklaron pasurinë në afatin e paraparë ligjor.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer vepër penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat