​Disa kryetarë komunash shkelin ligjin me ndërhyrjen në punën e zyrtarëve të prokurimit

Kosova

​Disa kryetarë komunash shkelin ligjin me ndërhyrjen në punën e zyrtarëve të prokurimit

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 13:25
Foto nga konferenca

Disa kryetarë të komunave ndërhyjnë në punën e zyrtarëve të prokurimit, respektivisht gjatë fazës së implementimit të planit të prokurimit.

Kjo ndërhyrje ka ndodhur nga kryetarët e komunave të Deçanit, Gjakovës, Klinës, Mitrovicës së Veriut, Podujevës, Prizrenit dhe Suharekës.

Veprimi i këtyre kryetarëve, po konsiderohet ndërhyrje flagrante dhe jo ligjore nga Iniciativa për Progres (INPO)

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në Iniciativa për Progres (INPO) gjatë publikimit të raportit “Planifikimi i prokurimit në mes të formalitetit dhe profesionalizmit”, theksoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se asnjëra nga komunat e monitoruara nuk e ka planifikimin e prokurimit konform kërkesave ligjore, përkatësisht planin e prokurimit nuk e kanë hartuar me të dhënat e nevojshme dhe të sakta lidhur me aktivitetet e planifikuara.

Arifi: Disa kryetarë komunash bëjnë shkelje flagrante

“Për pyetjen e parë pohojnë që ka pasur kërkesë të tillë komuna e Deçanit, Gjakovës, Klinës, Mitrovica e Veriut, Podujeva, edhe Prizreni. Pra kanë pohuar zyrtarë e prokurimit që megjithatë kryetari i komunës ka kërkuar që një aktivitet I prokurimit të zhvillohet në kundërshtim me afatin kohor. Pra, këto janë përgjigje të zyrtarëve të prokurimit. Edhe tek pyetja e dytë se a ka pasur raste kur ekzekutivi ka kërkuar me u hequr ose me u larguar një aktivitet i prokurimit, në komunën e Deçanit kanë thënë që po, në Klinë po ashtu, në Podujevë, Prizren dhe komuna e Suharekës. Kryetari megjithëse është zyrtar kryesor administrativ brenda komunës, pra janë procedurat të tjera ku mund të kërkohet, por jo me do e mos me vendim të kryetarit kërkohet që të përjashtohet plani i prokurimit. Në raport shihet që ka referenca ku me vendimet e kryetarëve është vendosur që të anulohet një aktivitet i prokurimit, krejt në mënyrë flagrante, duke përjashtuar procedurat e prokurimit. Pra, shihet qartë që kryetarët e komunave ndërhyjnë në mënyrë flagrante dhe jo ligjore tek zyrat e prokurimit”, thotë Arifi.

Hulumtuesi Arifi po ashtu ka komentuar edhe dështimin e Kuvendit për emërimin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP), i cili theksoi se vonesat e emërimit të Bordit të OSHP-së janë të dëmshme.

Arifi: Vonesat e emërimit të Bordit të OSHP-së janë të dëmshme

“Vonesat në votimin ose për krijimin e Bordit të OSHP-së janë shumë të dëmshme për autoritetet kontraktuese, qoftë për komunat ose për ministritë. Kjo është për të ardhur keq se si është neglizhuar qe sa muaj, kur po bëhen gati një vit ku ky institucion ose kjo gjykatë e tenderëve është pa bord. Kjo është fatkeqësi dhe këtë ne po e shohim çdo ditë. Është pengesë e jashtëzakonshme edhe për komunat, sepse komunat i paraqet prapa sfidës. Kjo është rrethana më e keqe e mundshme është që do të vonohen projektet e komunave dhe në një aspekt kjo I shtynë komunat që të veprojnë kundërligjshëm, sepse komunat duhet të funksionojnë”, theksoi Arifi.

Në raportin e monitorimit në 20 komuna, thuhet po ashtu se asnjëra nga komunat e monitoruara nuk ka vendosur sasitë, njësitë dhe artikujt tek aktivitetet për furnizim, respektivisht të dhënat e paraqitura nuk janë të sakta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat