Krimet Ekonomike ‘trokasin’ në dyert e komunës së Vushtrrisë - hetohen kontratat e qeverisjes së Xhafer Tahirit

Kosova

Krimet Ekonomike ‘trokasin’ në dyert e komunës së Vushtrrisë - hetohen kontratat e qeverisjes së Xhafer Tahirit

Më: 21 janar 2022 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës këtë javë ka ‘trokitur’ në dyert e komunës së Vushtrrisë, për të hetuar disa lëndë të viteve të kaluara.

Mësohet se Krimet Ekonomike po hetojnë kontratat e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale në Zonën Ekonomike në Lumadh, ku bizneset kishin përfituar toka të komunës për 99 vite me qëllim të zgjerimit të veprimtarive të tyre dhe hapjeve të vendeve të reja të punës.

Burime nga policia e Kosovës bëjnë të ditur se hetimi ka filluar për shkak të dyshimit të keqpërdorimit nga bizneset dhe zyrtarët komunal me kontratat e këtyre pronave. Këto burime tregojnë se policia po heton edhe disa lëndë tjera të qeverisjes së kaluar.

Këto burime kanë treguar se përmes kontratave të komunës të lidhura mes tyre dhe ish kryetarit Xhafer Tahiri, atyre dyshohet se iu është mundësuar t’i fusin këto prona në hipotekë dhe t’i kalojnë në shfrytëzim te personat e tretë, gjë që po dyshohet se është veprim i kundërligjshëm.

Media ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili ka konfirmuar rastin se Njësia e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës po i heton kontratat e qeverisjes së kaluar për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale në Zonën Ekonomike në Lumadh.

“Po është e vërtetë që krimet ekonomike kanë qenë në komunën e Vushtrrisë për hetimin e lëndëve për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale në Parkun e Bizneseve në Lumadh dhe po ashtu edhe për disa lëndë tjera”, ka deklaruar Ferit Idrizi për Veriu.info, duke treguar se arsyet pse po hetohen këta janë dyshimet për keqpërdorime.

I pyetur se a po shqyrtohet mundësia e rishikimit të këtyre kontratave nga ana e komunës pas dyshimeve për keqpërdorime, kryetari Ferit Idrizi ka thënë: “Ne si komunë nuk do të ndërmarrim veprime në fazën e hetimeve. Pas përfundimit të hetimeve do të vendosim për hapat tjerë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat