Qytetarët për masat antiCOVID-19: Nëse e respektojmë ligjin ka me pas më pak vdekje dhe raste pozitive

Kosova

Qytetarët për masat antiCOVID-19: Nëse e respektojmë ligjin ka me pas më pak vdekje dhe raste pozitive

Më: 22 janar 2022 Në ora: 15:34
Foto ilustrim

Prej sot e deri më 4 shkurt qytetarëve iu lejohet qarkullimi vetëm deri në orën 22:00. Kjo është një ndër masat e reja që Qeveria e Kosovës miratoi të premten në mënyrë që të parandalohet dhe luftohet pandemia COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend.

Qytetarët po i quajnë të pakuptimta këto masa por që megjithatë po shpresojnë që në këtë mënyrë mund edhe të ulen raste pozitive të cilat kanë shënuar një rritje të madhe. Ata thonë se për të mirën e shëndetit të çdonjërit qytetarë do të respektojnë me aq sa munden këto masa.

Sadri Lumnica tha për KP se respektimi i masave do të jetë e vështirë për qytetarët e më e vështirë do të jetë edhe për gastronominë, por që në të mirën e shëndetit ai tha se do të respektojë vendimin e qeverisë.

Lumnica: Janë masa të vështira por do t’i respektojmë për ta ruajtur shëndetin

Çfarë të bëjmë, patjetër që është mirë me i respektu sepse është mirë me ruajt shëndetin. Të vështira janë boll, sidomos për gastronominë por dhe të gjithë qytetarët por sa të kemi mundësi do t’iu përmbahemi. Tani çdo qeveri është lavdëruar se kanë arritur qëllimet duke përkufizuar këtë situatë. Kjo nuk varet prej qeverisë por të gjithë botën e ka kapluar, dhe mendoj që rezultatet e qeverive janë zero, nuk mund të arrijnë rezultat derisa pandemia ta bëjë të vetën. Ne nuk jemi fajtor që na ka ndodhë kjo gjithë botës”, tha ai.

Vendosja e orës policore po i duket e pakuptimtë Xhavit Azemit.

Azemi: Ora policore e pakuptimtë, deri në 21:00 janë restaurantet plotë, a s’ka aty virus?

“Shumë të pakuptimta janë. Psh prej orës 22:00 është ora policore...deri në ora 21:00 në restaurante plotë e ke, aty nuk ka virus a? Pas orës 22:00 në qytet nuk është thuajse askush dhe kjo më duket që është e pakuptimtë”, tha ai.

Ndërsa, qytetari Xhavit Berisha tha se meqë numri i të infektuarve veçse po rritet atëherë duhet të merren masa.

Berisha: Kur ka shumë raste pozitive duhet të merren edhe masa

“Masat e nevojshme çdoherë mendojë. Mendohet sipas situatës infektime nëse ka më shumë duhet të merren masat. Me kohë do të ulen dhe rastet me marrjen e këtyre masave”, u shpreh ai.

Edhe Sylë Hoti thotë se COVID-19 është një virus, e për çka e vetmja mënyrë është mbrojtja përmes masave.

Hoti: Nëse respektojmë ligjin ka me pas më pak vdekje dhe raste

"Kjo është në gjithë rruzullin tokësor kur shtetet me qindra vjet janë shtet, zoti është në qiell në tokë është pushteti dhe shteti do të thotë rregullat ligjore aty ku respektohet njerëzia jeta vazhdon. Kjo është sëmundje ngjitëse dhe po respektohen këto masa, atëherë duhet dhe ne me i respektu. Nëse respektojmë ligjin më pak ka me pas vdekje dhe raste. Shihni se çka ndodhi në këtë muaj janar, është shtuar shumë numri i rasteve krejt për shkak të mosrepketimit të masave", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat