​Latifi viziton Klinikën e Infektives, thirrje qytetarëve për vaksinim kundërCOVID-19

Kosova

​Latifi viziton Klinikën e Infektives, thirrje qytetarëve për vaksinim kundërCOVID-19

Më: 24 janar 2022 Në ora: 21:13
Pamje nga vizita

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendësministri Arsim Berisha dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, vizituan sonte Klinikën e Infektives dhe Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ku nga drejtuesit e këtyre klinikave dhe ekipet kujdestare u njoftua për punën aty dhe trajtimin e rasteve me COVID-19.

Latifi i falënderoi mjekët dhe infermierët për punën që po bëjnë në trajtimin e të prekurve nga COVID-19 dhe u njoh me ecurinë e rasteve që po trajtohen aty.

Arben Vishaj, drejtor i Infektives, tha se brenda 24 orëve të fundit në këtë klinikë ka pasur shtatë raste të pranuara me COVID-19 dhe gjashtë të shëruar, derisa nga 54 pacientë sa aktualisht janë në këtë klinikë, katër prej tyre janë në mjekimin intensiv.

Në Klinikën e Pediatrisë, drejtoresha Violeta Grajçevci Ukaj tha se për momentin në klinikë janë duke u trajtuar katër fëmijë me COVID-19 dhe se personeli është i organizuar për të menaxhuar rastet.

Ministri Latifi tha se puna e profesionistëve shëndetësor është një shembull i përkushtimit për ta menaxhuar sa më mirë çdo rast me COVID-19 dhe bëri thirrje popullatës që të vaksinohen dhe t’i zbatojnë masat në fuqi me qëllim që punë e mantel-bardhëve të lehtësohet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat