I akuzuari i kërkon falje punëtorit të tij i cili u lëndua gjatë punës

Kosova

I akuzuari i kërkon falje punëtorit të tij i cili u lëndua gjatë punës

Më: 25 janar 2022 Në ora: 13:48
Pamje nga gjykimi

I akuzuari i kërkon falje punëtorit të tij i cili u lëndua gjatë punës në Malishevë, thotë se vetë e kishte dërguar në spital

I akuzuari A. M, e ka pranuar fajësinë se në dhjetor të vitit 2018, punëtori i tij, i dëmtari kishte pësuar lëndime trupore derisa ishte duke punuar në firmën e tij. Ai tha se ndjehen keqardhje dhe i kërkoi falje të dëmtuarit.

Këtë pranim të fajësisë, i pandehuri e bëri në seancën fillestare të së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Ai po akuzohet për asgjësim apo heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Mone Syla, i akuzuari u njoftua me të drejtat e tij dhe përparësitë e pranimit të fajësisë, më pas i njëjti e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i vihet barrë.

“Të dy jemi kanë duke punuar bashkë, e vërtet është ajo çka lexoi prokurorja, pas lëndimit të dëmtuarin unë e kam marrë me veturë dhe e kam dërgua në shtëpinë e shëndetit, e pastaj e kam dërgua në spital”, deklaroi i akuzuari.

Tutje ai shtoi se me të dëmtuarin kanë pas dhe kanë raporte të mira duke i kërkuar falje për të gjitha që kanë ndodhë.

Prokurorja e Syla deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, duke i propozuar gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit për shqiptimin e dënimit t’i ketë parasysh edhe rrethanat e tjera rënduese, të akuzuarin ta dënoj sipas ligjit dhe ta obligoj në pagesën e shpenzimeve procedurale.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoj as përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokati Bekim Kryeziu, i cili tha se i dëmtuari nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, mirëpo kërkesë pasurore juridike do të parashtroj pranë kësaj gjykate.

Pas kësaj, gjyqtari Paçarizi e aprovoi pranimin e fajësisë, ndërsa shpallja e aktgjykimit tha se do të bëhet më 27 janar 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur në tetor të 2020-ës nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, A.M si pronar i një firme po akuzohet se nuk krijoi kushte për siguri në punë për punëtorin e tij.

Në aktin akuzues thuhet se më 12 dhjetor 2018, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës, i akuzuari si person përgjegjës, të dëmtuarin e merr në punë pa kontratë pune dhe nuk ndërmerr masa parandaluese për eliminimin e faktorëve të rrezikut, si dhe nuk siguron nivel të mirë sigurie në punë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Siguri e Shëndet në Punë, si pasojë e kësaj i dëmtuari derisa ishte duke punuar i pakujdesshëm e vë dorën në mes të çelësit i cili mbanë gypat dhe gypin mbrojtës, i cili ja zë dorën e majtë dhe nga kjo pëson lëndime trupore.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, paragrafin 5/3 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat