Kryeministri Kurti mori pjesë në Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar

Kosova

Kryeministri Kurti mori pjesë në Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 20:07
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar, i cili këtë vit u organizua virtualisht nga International Disability Alliance (IDA), në bashkëpunim me qeverinë e Ganës dhe të Norvegjisë.

Është angazhimi ynë i përditshëm dhe i përhershëm që të punojmë më shumë, së bashku, për ndryshime të qëndrueshme dhe shoqëri me mundësi për të gjithë, tha kryeministri. Ai theksoi domosdoshmërinë për të dëgjuar zërin e personave me aftësi të kufizuar dhe për të marrë parasysh kërkesat e tyre gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen e tyre.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025, me qëllim zhvillimin socio-ekonomik, bazuar në eliminimin e pengesave për realizimin e të drejtave dhe lirive, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve të jetojnë me dinjitet.

Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit i Personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”, gjatë të cilit po ndërmarrim hapa konkretë për përmirësimin e kushteve për komunitetin e aftësisë së kufizuar, tha kryeministri.

Së bashku me personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi përpiluar një kalendar ambicioz të aktiviteteve për vitin 2022, me fokus në shëndetësi, drejtësi, siguri, arsim, trajnim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport, shtoi ai.

Kryeministri Kurti potencoi qëllimin e përbashkët për të siguruar që të gjithë personat me aftësi të kufizuara, pavarësisht nga gjinia, origjina racore ose etnike, feja ose besimi, mosha ose orientimi seksual, të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore - mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë.

Në panelin e titulluar “Angazhimi kuptimplotë”, kryeministri Kurti diskutoi krahas: z.Hon Zed Seselja, Ministri i Danimarkës për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Paqësor, z.Flemming Møller Mortensen, Ministër për Zhvillim dhe Bashkëpunim i Danimarkës, znj.Inger Ashing, drejtoreshë ekzekutive e Save the Children International, Dr. Ola Abualghaib nga UN Partnership on the Rights of Persons with Disabilities Multi Partner Trust Fund, z. Dom Haslam, kryesues i International Disability and Development Consortium, znj.Gertrude Fefoame, nga Federata e Organizatave të Aftësisë së Kufizuar të Ganës dhe znj.Fernanda Santana nga Shoqata Braziliane për Veprim në të Drejtat e Personave Autistë.

Samiti bën thirrje për veprime konkrete për të përshpejtuar zhvillimin gjithëpërfshirës, nëpërmjet qasjes, angazhimit dhe barazisë. Ky samit synon të mobilizojë përpjekjet për të çuar përpara zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) në përputhje me parimin për të mos lënë prapa askënd, dhe për të rindërtuar më mirë pas COVID-19.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar pjesëmarrës të Samitit Global të Aftësisë së Kufizuar,

Jam i nderuar që jam këtu, për të diskutuar ndryshimin e qëndrueshëm për personat me aftësi të kufizuara, nëpërmjet veprimit të përbashkët.

Personat me aftësi të kufizuara kudo, në çdo cep të botës, përballen me sfida të reja dhe të rrezikshme.

Pandemia e COVID-19 pati pasoja shkatërruese për të drejtat dhe mirëqenien e njerëzve. Ndërthurur me pabarazitë ekzistuese sociale dhe ekonomike, pandemia pati ndikim të madh në komunitetet e cenueshme, dhe veçanërisht te personat me aftësi të kufizuara.

Seanca e sotme na përkujton domosdoshmërinë për veprim të përbashkët dhe angazhim kuptimplotë. Na kujton nevojën për të rritur përpjekjet tona në ndërtimin e shoqërive të drejta dhe për të lënë pas një botë për të cilën ne mund të jemi krenarë. Avancimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është thelbësor në vetvete - por është gjithashtu një shtytës për shoqëri më të qëndrueshme dhe më të suksesshme.

Të drejtat e njeriut janë në qendër të të gjitha angazhimeve të Programit tonë Qeverisës, duke zbatuar dhe mbështetur parimet demokratike, në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe parimin për të mos lënë prapa askënd.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025, me qëllim zhvillimin socio-ekonomik, bazuar në eliminimin e pengesave për realizimin e të drejtave dhe lirive, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve të jetojnë me dinjitet.

Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit i Personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”, gjatë të cilit po ndërmarrim hapa konkretë për përmirësimin e kushteve për komunitetin e aftësisë së kufizuar. Së bashku me personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi përpiluar një kalendar ambicioz të aktiviteteve për vitin 2022, me fokus në shëndetësi, drejtësi, siguri, arsim, trajnim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport.

Është angazhimi ynë i përditshëm dhe i përhershëm që të punojmë më shumë, së bashku, për ndryshime të qëndrueshme dhe shoqëri me mundësi për të gjithë. E përveç mbrojtjes nga të gjitha format e diskriminimit, ne duhet të sigurojmë që vetë demokracia të mos diskriminojë. Është e domosdoshme që zëri i personave me aftësi të kufizuar të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të merren parasysh gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen e tyre.

Progresi shoqëror është i lidhur ngushtë me progresin e vazhdueshëm të të gjithë qytetarëve, pa dallim, dhe për ta arritur këtë, rrugët drejt mundësive duhet të jenë të hapura për të gjithë.

Qëllimi ynë i përbashkët është të sigurojmë që të gjithë personat me aftësi të kufizuara, pavarësisht nga gjinia, origjina racore ose etnike, feja ose besimi, mosha ose orientimi seksual, të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore -- mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë.

Ju falënderoj të gjithëve për kontributin dhe përkushtimin tuaj të çmuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe veçanërisht veprimet tuaja për të ndryshuar bashkërisht shoqëritë tona dhe botën tonë.

Ju faleminderit shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat