​Ministri Latifi vizitoi spitalin ushtarak dhe disa qendra mjekësore në SHBA

Kosova

​Ministri Latifi vizitoi spitalin ushtarak dhe disa qendra mjekësore në SHBA

Më: 11 maj 2022 Në ora: 19:04
Pamje nga vizita

Me qëllim të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe marrjes së eksperiencave për zhvillimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka vizituar Spitalin Ushtarak “Walter Reed” në Bethesda Maryland të SHBA, i njohur si Spitali i Presidentëve.

Përveç kësaj, ministri Latifi, ka vizituar qendrat e simulimit dhe edukimit teknologjik të Spitalit Ushtarak Walter Reed dhe Universitetit të Shërbimeve të Uniformuara, që ka një nga qendrat më të avancuara të edukimit mjekësor në botë, Qendrën e Simulimit Val G. Hemming dhe një lider botëror në zhvillim dhe aplikim e programeve të simulimit mjekësor.

SimCenter është pjesë e Universitetit të Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore (USUHS), i vendosur në Forest Glen Annex Silver Spring, Maryland.

Nikoqiri i ministrit Latifi ishte Mark Bowyer, profesor i Kirurgjisë dhe shefi i Traumës dhe Kirurgjisë Luftarake në Universitetin e Shërbimeve të Uniformuara të Shkencave Shëndetësore (shkolla mjekësore ushtarake) në Bethesda, MD, që është drejtor i simulimit kirurgjik dhe autoritet i njohur në simulim dhe trajnimi.

Të dyja këto institucione janë nga më të mirat në botë dhe janë shembuj të shkëlqyer të partneritetit potencial dhe shembuj se si mund të duket sistemi shëndetësor i Kosovës në të ardhmen.

Po ashtu, ministri Latifi, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po viziton edhe Universitetin e Arizonës, në Tucson, Arizona.

Ministri Latifi, gjatë kësaj vizite në SHBA ka marrë pjesë gjithashtu edhe në festimin e “Project Hope”, një kontribuues i rëndësishëm në shëndetësinë e Kosovës, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat