​Humbet një tjetër ditë mësimi, njohësi i arsimit: Të parandalohet greva e përgjithshme

Kosova

​Humbet një tjetër ditë mësimi, njohësi i arsimit: Të parandalohet greva e përgjithshme

Më: 20 maj 2022 Në ora: 17:40
Argjend Osmani

Nxënësit sot humbën një ditë mësimi. Thirrjes së SBASHK-ut për të mos mbajtur mësim dhe mësimdhënësit t’i bashkohen protestës iu përgjigjen shumica e institucioneve arsimore fillore e të mesme. Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, tha se mbështet mësimdhënësit ndërsa ftoi Qeverinë e Kosovës të reflektojë dhe të parandalojë grevën e përgjithshme.

Osmani deklaroi se ekzekutivi duhet të marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve pasi janë një kategori që janë shumë meritor për edukimin e gjeneratave të ardhshme.

Osmani: Qeveria duhet të marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve

“Qeveria duhet të jetë më e arsyeshme, duhet të marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve nuk mund t’i mbyllim sytë dhe veshët për kërkesat e vazhdueshme të tyre që unë i vlerësoj të arsyeshme. Duhet të merret seriozisht parasysh ky proces dhe të shikohen mundësitë për përmbushjen e atyre kërkesave gjithmonë nën kornizën e mundësive që ofron buxheti i Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, unë jam plotësisht me mësimdhënësit”, ka shtuar Osmani.

Osmani ka theksuar se me përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit do të ketë një përfitim afatgjatë të vet sistemit arsimor.

Osmani: Përfitimet afatgjate janë të sistemit nëse plotësohen kërkesat e mësimdhënësve

“Nxënësit humbin me aspekt afatshkurtër por sistemi i arsimit nëse plotësohen këto kërkesa dhe arrihet një marrëveshje me të dyja palët do të fitojnë në aspekt afatgjatë, do të këtë përmirësim të kushteve në sistemin e arsimit ku njëri prej faktorëve më të rëndësishëm është edhe motivimi i mësimdhënësve, andaj unë jam kritikues shumë i madh i Qeverisë që nuk ka bërë mjaftueshëm për të plotësuar këto kërkesa dhe për një kohë të gjatë i kanë neglizhuar ato”, ka thënë ai.

Njohësi i arsimit ka kërkaur nga Qeveria e Kosovës që të reflektojë dhe të parandalojë grevën e përgjithshme që u paralajmërua sot, në rast se nuk plotësohen kërkesat e SBASHK-ut.

Osmani: Kjo zvarritje e paarsyeshme ka dërguar në dramatizimin e gjendjes

“Qeveria ka pasur kohë mjaftueshëm kohë që t’i shqyrtojë kërkesat e SBASHK-ut dhe kjo zvarritje e paarsyeshme ka dërguar në dramatizimin e gjendjes dhe në marrjen e hapave më ekstrem sikur sot, mirëpo mendoj një greve e përgjithshme do të ishte edhe më i dëmshme për sistemin arsimor dhe për edukimin e rinisë sonë, andaj është koha e fundit që Qeveria të reflektojë, t’i lejë fjalët e bukura por punët e pakta që ka në këtë drejtim, jemi duke pritur veprime konkrete përndryshe me fjalë ky problem nuk zgjidhet”, tha ai.

Sot gjate ditës është mbajtur protesta e punëtoreve nga disa institucione në sektorin publik më kërkesat për miratimin e Ligjit të pagave dhe ndarjen e 100 eurove për çdo muaj deri në aprovimin e këtij ligji, zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe për ndryshimin e ligjit për kontributet pensionale.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat