Kryeministri Kurti vizitoi shkollën shqipe në Nju Jork

Kosova

Kryeministri Kurti vizitoi shkollën shqipe në Nju Jork

Më: 22 maj 2022 Në ora: 20:09
Pamje nga vizita

Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe për integrim pa asimilim u theksua në vizitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shkollën shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut.

Në takimin e përbashkët me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe me themeluesit e drejtuesit e kësaj shkolle, Kryeministri Kurti vlerësoi përkushtimin dhe përpjekjet e mërgatës për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza dhe edukimin e gjeneratave të reja.

Kryeministri konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkollën shqipe në vendet ku jeton mërgata shqiptare. Po ashtu theksoi se Qeveria e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin dhe përfshirjen e profesionistëve nga mërgata në hartimin e politikave zhvillimore dhe strategjike.

Themeluesi i shkollës, z.Qemal Zylo foli për kontributin e këtij institucioni për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohjes me trashëgiminë kombëtare shqiptare. Ai bëri të ditur se programet e shkollës mbështeten në programet e përgatitura nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.

U bashkëbisedua edhe për rëndësinë e posaçme që ka rrjetëzimi i profesionistëve në mërgatë dhe ndërtimi i mekanizmave për transferimin e njohurive, dhe ekspertizës ndërmjet institucioneve arsimore të Kosovës dhe atyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.​

Image
Pamje nga vizita
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat