Nxënësve të dy shkollave në Podujevë u rrezikohet jeta nga infrastruktura e dëmtuar

Kosova

Nxënësve të dy shkollave në Podujevë u rrezikohet jeta nga infrastruktura e dëmtuar

Më: 18 qershor 2022 Në ora: 23:01
Foto ilustrim

Nxënësit e dy fshatrave në komunën e Podujevës po përballen me kushte të rënda në shkolla. Infrastruktura e dëmtuar shpeshherë u ka rrezikuar edhe jetën atyre.

Mbajnë emrin e heroit të kombit “Ali Ajeti”. Por gjenden në kushte mjaft të rënda. Dy shkollat me emrin e njëjtë në fshatrat Ballofc dhe Lladofc të Podujevës, tash e disa vjet përballen me infrastrukturë të vjetruar.

Alea Hajdari, nxënëse e klasës së katërt në shkollën fillore “Ali Ajeti” në Ballofc, thotë se nga infrastruktura e dëmtuar shpeshherë i është rrezikuar edhe jeta.

Këtu janë kushtet e vështira, po pikon uji kur po bjen shi, kur kemi qenë në pushim ka ra tavani”, thotë ajo.

Nxënëse e kësaj shkolle është edhe Anisa Hajdini. Ajo thotë se kushtet jo të mira po ndikojnë edhe në mësim.

E kam vështirë sepse këtu është pak pluhur dhe bankat janë pak në gjendje jo të mira me i vendos librat është pak vështirë por po mundohem që të jem më e qetë”, thotë ajo.

Megjithatë ajo ka shpresë që vitin e ri shkollor do ta nisë në kushte më të mira.

Pasi objekti i ri shkollor, tashmë është në fazën finale të ndërtimit.

Po unë jam shumë e lumtur që kemi me dal në shkollën e re kom me vazhdu 4 vjet në shkollën e re dhe besoj që kam me qenë shumë e kënaqur”, shtoi Hajdini.

E në dy shkollat e fshatit Lladofc e Ballofc, përveç kushteve të rënduara infrastrukturore, mungojnë edhe laboratorët si dhe kabinetet përcjellëse.

Po momentalisht këtu po shihet që shkolla është pak e vjetër në shumë vende po pikon ujë këtu na mungojnë edhe mjete konkretizimi laboratore, mjete të informatikës i kemi disa por jo të mjaftueshme”, thotë Lulzim Ajvazi, drejtor i dy shkollave “Ali Ajeti”.

Se me çfarë po përballen si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit, janë në dijeni edhe zyrtarët e Komunës së Podujevës.

Ne i kemi gjet këto probleme të trashëguara tanimë edhe në shkollën e Ballofcit dhe Lladofcit këto dy paralele janë të ndara të shkollës ‘Ali Ajeti’ në Sfeçël, ne kemi filluar investimet në fshatin Ballofc, vazhdimin e investimeve për të ndërtuar shkollën e re, dhe nxënësit e atij Komuniteti do t’i pret shkolla e re në muajin Shtator”, thotë Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Komunën e Podujevës.

Nga Komuna thonë se në shkollën e fshatit Lladofc do të bëhen investime, kjo pasi Komisioni Evropian pritet të dhurojë ndihmë financiare 60 mijë euro.

Por deri në finalizimin e punimeve nxënësit e këtushëm do të vazhdojnë të përballen me kushte të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat