Dalin rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Kaçanik që u dyshua për helmim

Kosova

Dalin rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Kaçanik që u dyshua për helmim

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 23:54
Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se si pasojë e ujit, 192 qytetarë të Kaçanikut kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma të njëjta si: temperaturë, ethe, barkqitje, vjellje, mundim.

Nga mostrat e marra të ujit, analizat bakteriologjike kanë treguar se këto mostra të ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm

Sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas pranimit të informatës për shtim të numrit të rasteve të raportuara me barkqitje dhe të vjella në Komunën e Kaçanikut, në terren ka dalë ekipi nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Ferizaj (dega regjionale e IKShKP në Ferizaj) dhe ka marrë mostrat e ujit në lokalitetet ku ka pasur raste të raportuara.

Sipas tyre, të gjithë qytetarët e trajtuar janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore, pa asnjë referim për hospitalizim.

Rekomandimet e IKShKP janë si në vijim:

1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109),

2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt,

3. Të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor,

4. Të monitorohet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e klorit (Cl) rezidual,

5. Marrja e të gjitha masave prë njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar,

6. Si rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat