Kodi i ri i mundëson Supremës që t’i prishë vendimet e Apelit dhe Gjykatave Themelore

Kosova

Kodi i ri i mundëson Supremës që t’i prishë vendimet e Apelit dhe Gjykatave Themelore

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 22:26
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Kodi i ri i Procedurës Penale i cili ka kaluar në dy leximet në Kuvendin e Kosovës, i ka shtuar përgjegjësi të reja Gjykatës Supreme.

Shkallës së tretë të drejtësisë ia ka dhënë të drejtën që t’i prishë vendimet e Apelit dhe Gjykatave Themelore.

Këtë të drejtë nuk e kishte më herët Supremja, e cila tash për tash vetëm konstaton shkeljet e bëra nga dy gjykatat më të ulëta. Këtë pikë të kodit po e kundërshtojnë nga Gjykata Supreme, pasi konsiderojnë se lëndët rrezikojnë të zvarriten edhe më tepër.

Kundërshtim kësja pike të kodit i kanë bërë edhe disa prej organizatave të Shoqërisë Civile.

Ky votim në Kuvendin e Kosovës, mund t’ia vendosë Gjykatës Supreme disa përgjegjësi të reja mbi supe.

Supremja, në rast se hyn në fuqi projekt-kodi i ri i Procedurës Penale, do të bëhet instanca e fundit gjyqësore, e cila e bën një vendim të Gjykatave vendim të formës së prerë.

Këtë përgjegjësi deri tash e ka pasur Gjykata e Apelit.

Supremja vetëm në tri raste do të lirohet nga kjo përgjegjësi.

Projekt-kodi i ri ka kaluar në dy leximet në Kuvendin e Kosovës.

Gjyqtari i Supremes, Agim Maliqi tregon se po e kundërshtojnë fuqishëm këtë ndryshim.

 “Deri më tani vendimi i formës së prerë është marrë në Gjykatën e Apelit dhe kjo faktikisht ka qenë një mjet i rregullt juridik përmes ankesës, Gjykata e Apelit ka vendosë dhe ka vendosë një standard që aktgjykimi të marrë formën e prerë. Tani me këtë dispozitë, i është dhënë mundësia edhe në Gjykatë Supreme të sfidohet vendimi i Gjykatës së Apelit dhe ky nuk do ta marrë formën e prerë, deri sa të vendosë edhe Gjykata Supreme”, ka thënë Agim Maliqi – Gjyqtar në Gjykatën Supreme.

Me këtë ndryshim, Maliqi thekson se rrezikon të ketë edhe zvarritje të mëtutjeshme të lëndëve.

Deri tash, ai tregon se Supremja vetëm e ka konstatuar shkeljen.

“Deri më tani nuk ka ekzistuar kjo mundësi, por është konstatu shkelja e ligjit penal në favor të të pandehurit. Dhe kjo ka ndodhë shpeshherë nga ana e Gjykatës, por duhet për këtë çështje të vlerësohet dhe analizohet secili aktgjykim ku është konstatuar një fakt i tillë dhe kemi një numër shumë të vogël të aktgjykimeve ku konstatohet shkelja e ligjit në dëm të të pandehurit dhe kjo absolutisht nuk e paraqet atë mundësinë që të ndryshohet ligji përkitazi me këto raste”, shtoi Maliqi.

Nga Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për Televizionin Dukagjini kanë thënë se për këto ndryshime kanë bërë shumë konsultime.

“Kanë qenë të përfshirë të gjithë akterët relevant, përfshirë përfaqësues nga partnerët ndërkombëtar si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Ministria e Drejtësisë vlerëson se përmes Kodit të ri të Procedurës Penale do të mundëson rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të punës së organeve ligj-zbatuese e para së gjithash gjykatave dhe prokurorive”, thonë nga MD-ja.

Televizioni ka mësuar se në rast se projekt-kodi do t’i kaloj të gjitha procedurat për të hyrë në fuqi, ai do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Kundër ndryshimeve janë edhe nga Insituti i Kosovës për Drejtësi.

“Me mënyrën se si është rregulluar tanimë, do të ndikoj edhe më shumë që gjykatat e shkallës së parë dhe gjykata e Apelit të jenë më të papërgjegjshme, sepse fatkeqësisht qoftë gjykatat në shkallë të parë, qoftë në shkallë të dytë, nisen prej faktit që nëse ne gabojmë do ta rregulloj shkalla e dytë, apo nëse shkalla e dytë gabon do ta rregulloj gjykata Supreme. Kjo do të ndikoj që procedurat gjyqësore të tejzgjaten edhe më tutje”, ka thënë Ehat Miftaraj.

Miftaraj thekson se në shumicën e rasteve, gjykatat themelore dhe ajo e Apelit, kanë vendosur në mënyrë të duhur.

“Nëse marrim për bazë numrin e madh të lëndëve që kanë vendosur gjykatat e shkallës së parë dhe gjykata e Apelit, nëse flasim për çështje penale, del që mbi 99% të rasteve i kanë vendosur në bazë të meritës ose në mënyrë të duhur”, shtoi ai.

Prej pasluftës, Gjykata Supreme në dhjetëra raste ka konstatuar se gjykatat në Kosovë kanë vendosur në favor të të pandehurit.

Mirëpo, Supremja nuk ka pasur të drejtë që ta ndryshoj vendimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat