​Banorët e Pakashticës së Epërme të rrezikuar dhe pa rrugë, luten të mos vdes askush gjatë dimrit

Kosova

​Banorët e Pakashticës së Epërme të rrezikuar dhe pa rrugë, luten të mos vdes askush gjatë dimrit

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 12:52
Pakashticë e Epërme

Halli i banorëve të Pakashticës së Epërme po jetojnë me frikën se një ditë dikush do të humb jetën në këtë vend. Mes malit dhe tatëpjetës së rrezikshme, po jetojnë më shumë se 12 familje në një fshat jo edhe shumë larg qytetit të Podujevës.

Bekim Salihu rrëfen vështirësitë e të jetuarit në fshatin Pakashticë, ku nuk kanë qenë të rralla as kërkesat në komunë për ndihmë.

Salihu: Kemi pas rreziqe shumë të mëdha dhe askush nuk është interesuar për këtë rrugë

“Ne qysh prej vitit 2000 kemi bërë kërkesa te çdo kryetar që ka qenë në mandat dhe asnjë kryetar nuk e ka marrë parasysh. Kemi pas rreziqe shumë të mëdha dhe nuk është interesuar askush për këtë rrugë...Një axhë i imi ka rënë me traktor poshtë. I kemi edhe nënat në moshë me sëmundje të mëdha dhe bllokohemi e nuk mundemi ta dërgojmë as te mjeku. Ky është një problem shumë i madh...Ne i frikësohem dhe lutemi që të mos na vdes dikush në dimër, se nëse vdes dikush në dimër, ne duhet me varros në oborr së pari, tani kur të heqet bora me dërgu te xhamia, ku janë vendet”, rrëfen ai.

Kjo rrugë vështirë kalohet edhe me automjete, njëjtë është edhe gjatë verës. Bekimi lutet që një ditë të investohet në këtë vend.

Salihu: E kisha lut kryetarin ta merr parasysh këtë rrugë

“E kisha lut kryetarin ta merr parasysh këtë rrugë, derisa nuk është mbyt askush, sepse nëse veç ndodhë, atëherë nuk ia vlen as me ndërtuar asgjë këtu...  Është shumë rrezik e sidomos në dimër sepse janë kafshët e egra dhe janë të rrezikuar shumë edhe fëmijët kur i dërgojmë në shkollë sepse është 3 km shkolla larg, edhe marketet janë 3 km larg nga këto dhe këto janë shumë probleme të mëdha”, shton ai.

Përveç rrezikut nga kafshët, banorët e këtij fshati mezi po sigurojnë edhe ujin e pijshëm. Bahrie Salihu, e cila është nënë e tre fëmijëve flet për vështirësitë e sigurimit të ujit.

Salihu: Tre fëmijët dhe burri me kusi pastrohemi

“Kemi problem me ujë... Tre fëmijë, vet, burri me kove pastrohemi se s’ka shtypje me lëshu bojlerin, qysh e ka ngjit komuna është mbet vjerrur... Kemi bërë kërkesa katër herë (në Komunë) por s’është ardhur askush. Vështirë tepër, s’ki as ku merr, as komshinj afër, dhe për bunar nuk është vendi sepse nuk është vendi mirë dhe uji del keq”, tregon ajo.

Përkundër lutjeve të banorëve dhe nevojës për investim në fshatin Pakashticë, Komuna e Podujevës nuk e ka paraparë asfaltimin e rrugës.

Krasniqi: Nuk është paraparë këtë vit asfaltimi i rrugës

“Asfaltimi i rrugës, “Zahir Uka” për këtë vit nuk është paraparë në bazë të projektit buxhetor, mirëpo mbas situatës dhe kërkesës që është bërë nga banoret e fshatit përkatës dhe rrugës, besojmë që në vitin e ardhshëm do t’i shohim mundësitë buxhetore dhe do ta kemi parasysh këtë rrugë”, deklaron Leutrim Krasniqi, drejtor i Planifikimit Urban dhe i Mbrojtjes së Mjedisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat