KOMF-i: Mos i shkelni të drejtat themelore të fëmijëve

Kosova

KOMF-i: Mos i shkelni të drejtat themelore të fëmijëve

Më: 23 gusht 2022 Në ora: 12:31
Mohimi i arsimit, shkelje e të drejtës themelore të fëmijës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare shprehen të shqetësuar nga paralajmërimi që po bëhet për ndërprerje të mësimit.

Nga koalicioni i organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve thuhet se, mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.

Në komunikatën adresuar mediave, mes tjerash thuhet se, konsiderojmë se këto ndërprerje të përsëritura të procesit të rregullt mësimor ndër vite, janë në kundërshtim me të drejtën themelore të fëmijëve në arsim dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të tyre.

KOMF-i po ashtu, u bën thirrje të gjitha palëve që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët dhe të krijojnë arsimim të qëndrueshëm në Kosovë, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë humbje të mësimit dhe nxënësit të vijojnë mësimin pa ndërprerje.

Komunikata e plotë:

KOMF: Mohimi i arsimit, shkelje e të drejtës themelore të fëmijës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare shpreh shqetësim për paralajmërimin e ndërprerjes së mësimit në tërë sistemin arsimor në Kosovë, si pasojë e grevës. Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.

Pa kontestuar arsyet apo qëllimet e grevës, konsiderojmë se këto ndërprerje të përsëritura të procesit të rregullt mësimor ndër vite, janë në kundërshtim me të drejtën themelore të fëmijës në arsim dhe në kundërshtim me interesin më të mirë të fëmijëve.

KOMF e njeh të drejtën e grevës si e drejtë e garantuar me legjislacion, por konsideron se ndërprerjet e vazhdueshme të procesit arsimor kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë procesin e rregullt mësimor dhe mësim-nxënien e fëmijëve. Vonesat në procesin mësimor do të lënë pasoja domethënëse në zhvillimin e fëmijëve dhe do të zbehin autoritetin e shkollës si institucion i dijes.

Situata e arsimit në Kosovë është rënduar ndjeshëm vitet e fundit, për pasojë KOMF konsideron se ndërprerja e procesit mësimor do të përkeqësojë edhe më tej gjendjen e fëmijëve.

KOMF i bën thirrje të gjitha palëve në këtë proces të gjejnë një zgjidhje të përbashkët dhe të krijojnë arsimim të qëndrueshëm në Kosovë, në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë humbje të mësimit dhe nxënësit të vijojnë mësimin pa ndërprerje.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF

Loreta Keqekolla

Zyrtare për Avokim/Komunikim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat