​Pas shumë vitesh Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kthehet nën ombrellën e MBPZhR-së

Kosova

​Pas shumë vitesh Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kthehet nën ombrellën e MBPZhR-së

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 16:02
Faton Peci, zhvilloi një takim me zv. Kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit rural ka njoftuar se, pas më shumë se një dekade, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUVK) si autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve kthehet nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Bëhet e ditur se Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zhvilloi një takim me zv. Kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu, me ç’rast u njoh nga afër me funksionimin e kësaj Agjencie.

“Roli i kësaj Agjencie është krucial në adresimin dhe ekzekutimin e politikave që i shërbejnë sigurisë ushqimore andaj do i kushtohet rëndësi e veçantë ngritjes së kapaciteteve njerëzore e laboratorike me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve tanë nga rreziqet që vijnë nga sëmundjet që barten përmes mungesës së kontrollit fitosanitar të cilësisë, ushqimet e pa-kontrolluara e të ngjashme. Kryeministri Albin Kurti, përmes kthimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tek Ministria e Bujqësisë, konfirmoi orientimin e kësaj Qeverie që secila Agjenci e secili Institucion të jenë funksional dhe t’i kontribuojnë fushës për të cilën janë të mandatuara”, u shpreh me këtë rast Ministri Peci.

MBPZhR po ashtu njofton se, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, për çdo ankesë rreth sektorit të bujqësisë, Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0 800 38 000 dhe email adresën [email protected] , ku do të pranohen ankesat dhe do mund të merren informacionet e nevojshme për çdo pyetje të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat