Avokati i Popullit mban dëgjim publik lidhur me hetimin për shëndetin riprodhues

Kosova

Avokati i Popullit mban dëgjim publik lidhur me hetimin për shëndetin riprodhues

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 06:17
Avokati i popullit, Naim Qelaj

Sot në Kuvendit Komunal të Gjakovës, Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues.

Hetimi i përgjithshëm, të cilin e ka iniciuar Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), lidhur me shëndetin riprodhues, me fokus shëndetin maternal, planifikimin familjar dhe abortin në Kosovë, ka arritur në fazën e dëgjimeve publike.  

Jua rikujtojmë se dëgjimet publike janë përmbushje e dimensionit publik që ka ky hetim dhe vazhdimësi e mbi 100 intervistave dhe e 14 fokus-grupeve, të realizuara në shtatë regjionet e vendit, me gra e vajza që kanë ofruar dëshmitë e tyre për trajtimin përkitazi me shëndetin seksual dhe riprodhues.

Pohimet e tyre janë bazë e hetimit për nivelin e respektimit apo të cenimit të të drejtave, që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, lidhen me çështjet që trajton hetimi.

Hetimi në fjalë nuk zëvendëson rolin e gjyqësorit dhe as të organeve të tjera të zbatimit të ligjit, por paraqet vazhdimësi të punës së IAP-së, në pajtim me mandatin që ka, për t’i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, të ndërlidhura ngushtë me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, veçanërisht me disa nga synimet e Objektivit 3: “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat.”; dhe të Objektivit 5: “Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.”

IAP-ja inkurajon gratë dhe vajzat, por edhe të tjerët, që konsiderojnë se mund t’i ndajnë në një dëgjim publik përvojat dhe dëshmitë e tyre nga perspektiva e çështjeve që u theksuan më lart, të bëhen pjesë e këtyre dëgjimeve publike, sipas regjioneve ku jetojnë dhe veprojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat