​ShSKUK shprehet e shqetësuar rreth orarit të mësimit nga menaxhmenti i fakultetit

Kosova

​ShSKUK shprehet e shqetësuar rreth orarit të mësimit nga menaxhmenti i fakultetit

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 13:39
QKUK

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës shprehet i shqetësuar me zhvillimet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë pas shpalljes të orarit të mësimit nga menaxhmenti i fakultetit.

Sipas tyre, ky orar nuk është konform rregullores së re të nxjerr nga organi më i lartë të Universitetit të Prishtinës, Këshilli Drejtues, të miratuar me 22 shtator 2022.

“Mbajtja e mësimit me numër të grupimeve në kundërshtim me rregulloren e re është sinjal që FM po kundërshton hapjen e kësaj njësie akademike për stafin akademik meritor. Ne si SHSKUK i jemi gëzuar rregullores të re nga Këshilli Drejtues i UP, sepse përmes saj do të rregullohet afatgjatë problemi me mungesën e stafit akademik me titull të profesorit në klinikat dhe institutet e SHSKUK. Rikujtojmë që sipas statutit të QKUK, neni 12, klinikat nuk mund të themelohen pa pasur profesorë. Në situatën e rëndë të krijuar në vitet e fundit, shumë prej klinikave të QKUK rrezikojnë funksionimin për shkak të mungesës të profesorëve”, thuhet në reagim.

Më tej në shkresën publike thuhet se, Klinikat dhe institutet e SHSKUK kanë staf akademik meritor të mjaftueshëm për tu zgjedhur në pozitën e profesorit, prandaj situata e krijuar është absurde (sepse stafi meritor ekziston) por e rrezikshme (sepse e vështirëson funksionimin e klinikave si njësi të pavarura nga mungesa e avancimit të stafit meritor.

“Në këto kushte SHSKUK është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj përmes infrastrukturës të cilën e ka në dispozicion për realizimin e veprimtarisë arsimore sipas rregullores të re të miratuar nga Këshilli Drejtues i UP. Kërkojmë nga organet kompetente në UP(Këshilli Drejtues, Rektorati, Senati) që të marr masat e nevojshme sipas rregullave në fuqi për të zbatuar rregulloren e re në praktikë në Fakultetin e Mjekësisë”, theksohet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat