E marta, ishte ditë e kobshme në Kosovë: Katër vdekje brenda pak orëve, tri nga to ishin tragjike

Kosova

E marta, ishte ditë e kobshme në Kosovë: Katër vdekje brenda pak orëve, tri nga to ishin tragjike

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 08:38
Foto ilustrim

Katër qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën brenda pak orëve në katër qytete të ndryshme të vendit. Dy nga ta nuk arritën që t’u përballonin plagëve të rënda që morën, njëri nga lëndimet që pësoi si pasojë e një incidenti me ashensor në Pejë, ndërsa tjetra u godit për vdekje nga një veturë në rrugë magjistrale Prishtinë – Mitrovicë. Kurse një person tjetër dyshohet se i dha fund jetës së tij në orët e mbrëmjes në Mitrovicën e Veriut. Po ashtu, nga jeta u nda edhe një punonjëse e kompanisë KEDS në qytetin e Gjilanit.

Nergjivane Behluli ditën e sotme e kishte nisur zakonisht si çdo ditë tjetër. Por askush nuk e dinte se ajo nuk do të kthehej nga puna për në shtëpi. 63-vjeçarja u gjet pa shenja jete në zyrën e saj në kompaninë KEDS në Gjilan. Lidhur me rastin, Prokuroria ka nisur hetimet duke e cilësuar si ‘Vdekje të dyshimtë’, ndonëse sipas mjekëve vdekja ka qenë natyrale.

E vetëm pak orë më vonë në qytetin e Pejës ndodhi një ngjarje e rëndë, ku veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, humbi jetën tragjikisht pasi u zu nga ashensori i një ndërtese. Lekaj kishte qenë duke punuar në riparimin e ashensorit në momentin kritik. Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është iniciuar si ‘Hetim i vdekjes’.

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, ku një veturë ka goditur për vdekje një këmbësore. Sipas Policisë, njësia rajonale e trafikut rrugor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti.

Një lajm i kobshëm së fundin e ditës erdhi edhe nga Mitrovica e Veriut, ku dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së tij.

Sinjali mëson se viktima është një 47-vjeçar dhe e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 19:30 në Zubin Potok.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat