​Prindërit protestojnë për klasët e vogla, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” tregon se ka bërë ndërrimin e klasave

Kosova

​Prindërit protestojnë për klasët e vogla, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” tregon se ka bërë ndërrimin e klasave

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 14:52
Pamje nga protesta

Mbi 30 nxënës numëron çdo klasë e shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë. Përveç numrit të madh të nxënësve, problem për disa paralele vazhdon të mbeten edhe klasët e vogla. Gjatë së mërkurës, prindërit e një paraleleje të klasës së tretë kanë protestuar që të bëhet një zgjidhje për fëmijët e tyre. Ndërkaq, drejtoresha ka njoftuar se ka bërë ndërrim të klasave dhe që nga nesër kjo paralele do të mbaj mësimin në një klasë tjetër.

Kryetarja e prindërve të paraleles së tetë të klasës së tretë, Diellza Gjinovci ka deklaruar se tash e sa kohë po kërkojnë nga drejtoresha që të gjendet një mundësi dhe fëmijët të mos vijojnë mësimin në atë klasë, ku sipas saj është shumë e vogël.

Gjinovci: Ne kemi kërkuar një klasë më të madhe

“Ne konkretisht kemi kërkuar një klasë më të madhe, sepse fëmijët kanë qenë në klasë shumë të vogël. Kanë qenë të detyruar që të ulen nga tre nxënës. Kështu që procesi mësimor nuk ka vijuar si duhet, si në çdo klasë tjetër. Dhe kemi kërkuar që të na mundësohet një klasë më e madhe. Fëmijët të kenë shëndet e të mos u përkeqësohet dhe që të zhvillohet procesi mësimor në formë të rregullt”, ka thënë ajo.

E sipas drejtoreshës së shkollës, Mimoza Krasniqi ka një ngarkesë të madhe të fëmijëve të regjistruar.

Krasniqi: Ka shumë fëmijë, jemi shumë të ngarkuar

“Jemi në këto kushte që jemi shumë të ngarkuar. Ka shumë fëmijë të cilët me siguri nuk i kanë as adresat e sakta, bëjnë falsifikime, i bijnë dokumentet dhe ne nuk jemi inspektorët që të inspektojmë. Kjo është mundësia që shkolla Ismail Qemali, i ka në të gjitha klasat mbi 35 nxënës në një klasë”, ka theksuar ajo.

Megjithatë, Krasniqi ka njoftuar se kanë bërë një zgjidhje të përkohshme dhe prej nga nesër bëhet ndërrimi i klasave.

Krasniqi: Prej nesër ajo klasë shkon te klasa e autizmit

“Prej nesër ajo klasë shkon te klasa e autizmit, ku i kam dërguar parashkollorët. Parashkollorët i sjellim në dy zyre këtu deri në momentin e rregullimit të aneksit për parashkollorët. Kjo është një zgjidhje e përkohshme që besoj se rregullohet ditëve në vazhdim”, ka njoftuar drejtoresha e kësaj shkolle.

Më tej, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” ka njoftuar se janë në proces të punimeve dhe të njëjtat janë zvarritur për shkak të grevave.

Krasniqi: Ne kemi qenë në proces të punimeve

“Ne kemi qenë në proces të punimeve që kanë filluar qysh në fund të korrikut. Për shkak të grevave, nënshkrimi i kontratave është vonuar. Puna e nënshkrimit të kontratave neve na i ka zvarritur punimet. Punimet veç kanë filluar. Ne një zgjidhje e kemi bërë të përkohshme. Për momentin e kemi hequr klasën e autizmit e kemi dërguar në një zyre. Që nuk është mirë t’i dërgojmë, por e kemi bërë një zgjidhje të përkohshme. Në momentin që rregullohen, klasa e parashkollorëve vijnë në vendin e vet. Edhe mësuesja që ju ka ndërruar klasa për arsyeje të një fëmije me nevoja të veçanta, i cili ka probleme në lëvizje, në boshtin kurrizor dhe ka një sëmundje shumë të rëndë, ajo më ka detyruar mua që të ndërrojë klasën”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat