Nagavci: Jemi duke trajtuar me prioritet arsimin dhe aftësimin profesional

Kosova

Nagavci: Jemi duke trajtuar me prioritet arsimin dhe aftësimin profesional

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 12:51
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot deklaroi se sistemi i Arsimit dh Aftësimit Profesional (AAP) luan rol vendimtar në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një shteti.

Ajo potencoi se AAP mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, krijimit të pasurisë dhe uljes së varfërisë.

Nagavci u shpreh se sot, në konferencën e 5-të vjetore e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim të të rriturve në të cilën u shpalosën sukseset dhe sfidat e sistemit të AAP-së, theksoi se MASHTI dhe Qeveria janë duke trajtuar me prioritet AAP-në dhe tashmë kanë ndërmarrë disa veprime konkrete.

“Është themeluar Komisioni Ekzekutiv për avancimin e AAP-së në nivel të Kryeministrisë, që do të mundësojë bashkërenditje më të mirë ndërinstitucionale. Inicimi i arsimit dual në katër profile, 3 komuna dhe 4 shkolla që ka ndikuar dukshëm në rritjen e interesimit të nxënësve për shkollat profesionale. Ridefinimi i kritereve për financimin e shkollave profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave; Është në finalizim dokumenti i kornizës kurrikulare të AAP-së që do të jetë udhërrëfyes për strukturimin e kurrikulave që do të ofrohen në shkolla profesionale; Është bërë standardizimi i modelit të qendrave për këshillim në karrierë dhe institucionalizimi i shërbimeve; Është zhvilluar programi kualifikues për përgatitjen e mësimdhënësve para shërbimit për angazhim në shkollat profesionale.”, shkroi ministrja në Facebook, duke shtuar se AAP ofron për të rinjtë dhe të rriturit mundësi që ta gjejnë veten në treg të punës dhe të kenë të ardhme më të sigurtë.

“Jemi duke vazhduar me inicimin e nismave tjera që do të avancojnë edhe më tej sistemin e AAP-së.”, shtoi tutje ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat