Nagavci: Do të kemi çerdhe modulare në veri të Mitrovicës, risi që po përdoret në Evropë

Kosova

Nagavci: Do të kemi çerdhe modulare në veri të Mitrovicës, risi që po përdoret në Evropë

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 12:24
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se shumë shpejt në veri të Mitrovicës do të sjellin një formë të re të çerdheve, atë modulare.

Nagavci në një prononcim për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se kjo formë e çerdheve (modulare) është një risi që po aplikohet edhe në vendet e ndryshme të Evropës.

“Viti i kaluar ka qenë një vit sfidues edhe për shkak të pandemisë. Sa i përket planifikimit kemi ecur mjaft mirë përpara. Një formë e re e çerdheve, të cilën jemi duke e shqyrtuar, do të jap mundësi për realizmin e premtimit, dhe ndërtimin e çerdheve dhe përmirësimin e kushteve. Bëhet fjalë për çerdhe modulare në veri të Mitrovicës. Është një risi që po përdoret në vendet e ndryshme të botës. E shkurton kohën e ndërtimit dhe shmang rreziqet për fëmijë në vendet ku bëhen ndërtimet…”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj, fajtor për ngecjen e punëve në këtë sektor janë disa nga problemet infrastrukturore.

“Përtej problemeve financiare, problemet kanë qenë dhe gjetjen e hapësirave, të pronave dhe problemeve të tjera të cilat kanë ndikuar. Besoj që shumë shpejt, në fillim të muajit të ardhshëm do të definohet dhe kjo dhe do ta kemi të qartë rrugën që do të vazhdojmë për para në këtë drejtim”, tha tutje ajo.

Nagavci u pyet gjithashtu edhe për platformën online, e-shkollori.

Siç bëri të ditur ajo e-shkollori implementohet në komuna të ndryshme, sipas marrëveshjes me komuna.

“Platforma e-shkollori implementohet në komuna të ndryshme, sipas marrëveshjes me komuna. Pra nuk ka një marrëveshje me ministrinë e Arsimit. Reflektimet se sa është i suksesshëm nga komunat, në përgjithësi në komunën ku është e pilotuar, në Komunën e Prishtinës dhe në komunat tjera është referu që ka qenë e suksesshme në rregullim kjo dhe për faktin që është përdorë dhe gjatë kohës së pandemisë. Mësimdhënësit janë familjarizuar. Është e tëra në gjuhën shqipe dhe ka mjaft elemente pozitive. Në prezantimin që na është bërë dhe neve si ministri, kemi adresu dhe mjaft pyetje konkrete. Në momentet që po vazhdojmë me implementim të procesit të digjitalizimit duhet të respektojmë të gjitha procedurat e hapura për aq sa është e mundur duke shmangur kontratat një burimore kur kjo është e mundur”, ka thënë Nagavci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat