Në Kosovë ende nuk dihet numri i saktë i armëve pa leje

Kosova

Në Kosovë ende nuk dihet numri i saktë i armëve pa leje

Më: 15 mars 2023 Në ora: 22:51
Foto ilustrim

Nga viti 2015, Kosova nuk ka bërë një hulumtim që tregon për numrin e saktë të armëve pa leje. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se pa ndryshime ligjore nuk mund të vazhdojë procesi i legalizimit. Prej 250 mijë armëve pa leje në vend, Policia e Kosovës gjatë vitit konfiskon rreth 1500 sosh.

Dy ditë më parë Policia e Kosovës sekuestroi 20 kallashnikovë gjatë një aksioni të gjerë që zhvilloi në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut. Legalizimi që ka nisur përmes një fushate në vitin 2019 nuk është mbyllur si proces, për shkak të disa problemeve teknike, por edhe ngecjeve në aspektin ligjor.

Udhëheqës i Divizionit për Armë, Municion dhe Eksploziv, Destan Mustafa thotë se po punojnë për një hulumtim të radhës për ta nxjerrë numrin e saktë të armëve pa leje në vend.

“Këtë vit kemi filluar me vlerësimin ekspos të ligjit të legalizimit dhe dorëzimit të armëve. Vlerësimi ekspos nënkupton që mblidhet një grup nga institucionet relevante dhe vlerëson ngecjet në ligj të cilat kanë qenë defekte dhe dalim me politika të reja të hartimit dhe legalizimit”, tha Mustafa.

Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se armët pa leje vazhdojnë ta kërcënojnë sigurinë publike.

“Është temë që duhet të merret më seriozisht nga institucionet e Kosovës. E shohim që kampanja më nuk është duke vazhduar, dhe në periudhën sa ka zgjatë nuk ka qenë më e suksesshmja, sepse nuk ka pasur shumë kërkesa për legalizim”, tha Dorjeta Rukiqi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Sipas Kodit Penal, qytetarët që bartin armë pa leje mund të dënohen me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat