​Inaugurohet punëtoria e floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”

Kosova

​Inaugurohet punëtoria e floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”

Më: 29 mars 2023 Në ora: 16:02
Në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”

Në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” sot (e mërkurë) është bërë inaugurimi i punëtorisë së floktarisë e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci u shpreh se ky projekt është pjesë e profileve të mësimit dual që kanë nisur punën në shtator të vitit të kaluar.

Ajo tha se mësimi dual po ofron mundësi të mira për nxënësit që të jenë të përgatitur për tregun e punës.

“Përveç punë që nxënësit e bëjnë në biznese, në rastin tonë në sallonet e floktarisë, këta 21 nxënës të cilët dy ditë të javës i kalojnë në 18 sallone ka qenë kërkesa edhe e shkollës që të pajiset klasa me punën praktike... Reflektimet e të gjithë fëmijëve janë shumë të mira por po ashtu nga ana e shkollave të cilët tregojnë se profilet siç ka qenë ai i mikpritjes hoteliere ku kanë pasur gjithmonë vështirësi me minimumin e nxënësve tani nuk arrijnë t’i përmbushin të gjitha kërkesat që kanë nga ana e nxënësve dhe unë besoj që edhe profilet e reja që do t’i hapim në vitin e ardhshëm shkollor do të arrijmë që t’ju ofrojmë më shumë mundësi të rinjve tanë për zhvillimin e shkathtësive dhe kompetencave të shekullit 21 që të jenë më të përgatitur”, theksoi ajo.

Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla shpreson se nuk do t’i zhgënjejnë me këtë projekt pasi zotërojnë edhe përvojën por edhe ekspertizën.

“Besoj që Qendra e Kompetencës ‘Shtjefën Gjeçovi’ nuk do t’i zhgënjej me këtë projekt, por do ta bëjmë më të mirën e mundshme për arsye se kemi edhe përvojën edhe ekspertizën edhe të gjitha”, u shpreh ai.

Eric Dietz nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë u shpreh se ndihen krenar që po mbështesim projekte të tilla që lidhin arsimin dhe aftësimin profesional.

Ai theksoi se kjo punëtori e floktarisë do të jetë aset i vlefshëm për shkollën dhe komunitetin në përgjithësi.

“Luksemburgu ka qenë dhe është një partner afatgjatë i Kosovës, dhe është krenar që po e mbështet sektorin e arsimit e në veçanti sektorin e aftësimit dhe arsimit profesional. Sot jemi të lumtur që po shohim që veglat dhe pajisjet që janë ofruar kanë pasur një ndikim pozitiv... Jam i bindur që kjo punëtori e floktarisë do të jetë një aset i vlefshëm për shkollën dhe komunitetin në përgjithësi. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona që t’i rrisim bashkëpunimin me sektorin privat e sidomos në kuadër të mësimit dual”, u shpreh ai.

Drejtoresha për Arsim dhe Aftësim Profesional për të Rritur, Fikrije Zymberi u shpreh se mësimi dual i ofron mundësi nxënësve që pas diplomimit të kenë një vend pune.

Ajo tha se në këtë punëtori të floktarisë janë kushtet që përkojnë me standardet e kërkuar në tregun e punës.

“Mund të them lirisht që këtu kemi mësimdhënës dhe infrastrukturë që kanë njohuri mbi lëndët e tyre por kanë edhe shkathtësitë e tyre pedagogjike e profesionale kanë materiale trajnuese kanë këtë punëtori kaq mirë të pajisur dhe të gjitha këto do të ndikojnë tek prurjet tek vetë nxënësit sigurisht që përkojnë me standardet e kërkuara në tregun e punës. Gjithë këto mundësojnë që nxënësit tanë pas diplomonit të gjejnë vetën dhe të sigurojnë vende të punës”, u shpreh Zymberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat