U lind në javën e 26-të, foshnja pas dy muajsh lirohet nga Klinika e Neonatologjisë

Kosova

U lind në javën e 26-të, foshnja pas dy muajsh lirohet nga Klinika e Neonatologjisë

Më: 1 prill 2023 Në ora: 15:38
Ilustrim

Një foshnjë kishte lindur nën peshë dhe në javën e 26-të në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Universitare të Kosovës (QKUK), por pas trajtimit shëndetësor mbi dy muaj në Klinikën e Neonatologjisë është liruar për në shtëpi në gjendje stabile shëndetësore.

Kështu bëri të ditur drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Hajrije Ismaili, e cila përmes një videomesazhi të postuar në rrjetin social në Facebook në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, tha se me punën e tyre synojnë të ulin shkallën e vdekshmërisë të të porsalindurve.

“Së fundi kemi pas një foshnje e cila ka lindur në javën e 26-të, me një peshë të ultë në lindje dhe pas qëndrimit në klinikë mbi dy muaj është lëshuar në shtëpi në gjendje stabile shëndetësore”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në vitin 2021 në këtë klinikë janë trajtuar 8,879 foshnja të porsalindura ndërsa në vitin 2022 janë trajtuar 9,554 foshnja.

“Ne synojmë të ulim shkallën e vdekshmërisë të porsalindurve, shkallën e sëmundjeshmërisë, ditët e qëndrimit në spital… Nëse e marrim vitin 2021, kemi pasur gjithsej foshnja të cilat janë trajtuar në klinikën tonë 8,879, marrë parasysh foshnjat të cilat lindin në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike dhe ato që sillen nga jashtë. Shkalla e vdekshmërisë ka qenë 18.3 promila, ndërsa për vitin 2022 foshnjat që janë trajtuar në klinikën tonë kanë qenë gjithsej 9,554 ndërkaq kemi pas rënie të konsiderueshme të shkallës së vdekshmërisë në 14.4 promila”, ka thënë Ismali. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat