​Zgjerohet Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, miratohet shtimi i 4 portave të reja

Kosova

​Zgjerohet Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, miratohet shtimi i 4 portave të reja

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 12:03
Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” do të zgjerohet me 4 porta të reja të imbarkimit, duke e rritur numrin e portave nga 8 në 12.

Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe atë veriore të portave ekzistuese të imbarkimit.

Sipas njoftimit nga Aeroporti, buxheti i paraparë për këtë plan është rreth 3 milionë euro.

“Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe në anën veriore të portave ekzistuese të imbarkimit, ndërsa buxheti i paraparë për këtë plan në total është rreth 3 milionë euro. Meqenëse Plani i Zgjerimit bie nën kompetencat e Partnerit Privat, zgjerimi i terminalit do të bëhet pa asnjë shpenzim shtesë për Dhënësin apo Qeverinë e Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.

Zgjerimi synon të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve, por edhe rritjen e komoditetit për pasagjerët që të kenë sa më të lehtë kalimin nëpër kontrollet e aeroportit.

“Gjatë mbledhjes Komiteti miratoi edhe raportin vjetor për vitin 2022 si dhe diskutoi mbi kërkesën e partnerit privat për zgjatjen e afatit të koncesionimit me qëllim reflektimin e kohës së pandemisë ashtu siç parashihet në kontratë. Sipas Raportit mbi Pasqyrat Financiare të Auditorit të Pavarur, të Ardhurat Bruto për vitin 2022 ishin 60,177,176€ apo 36.91% më të larta sesa viti paraprak, ndërkaq numri i udhëtarëve u rrit nga 2,198,414 në 3,012,108 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 37%”, është theksuar në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat