​Latifi: 24 vjet më parë, çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte larë me gjak

Kosova

​Latifi: 24 vjet më parë, çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte larë me gjak

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 13:03
Smajl Latifi

Ukshin Hoti dhe të tjerët që u rrëmbyen me dhunë peshojnë mbi supet tona si guri i rëndë, ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi në mbledhjen solemne për shënimin e Ditës së Çlirimit të kësaj komune.

Latifi shtoi se 24 vjet më parë, çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte e larë me gjak martirësh e dëshmorësh.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës marshoi triumfalisht nëpër rrugët e Rahovecit, i cili me 14 qershor ishte shkatërruar e djegur.

Latifi: Populli ynë ka derdhur shumë gjak

“Populli ynë ka derdhur shumë gjak dhe ka përjetuar përndjekje dhe persekutime të padënuara ende. Ka përjetuar dhunë dhe represion të tmerrshëm, por zëri ynë nuk është dëgjuar. Të vrarë e të persekutuar me dekada, por shpresën për liri nuk na i kanë vrarë asnjëherë. Siç do të thoshte poeti i madh Din Mehmeti ‘për gjuhë, për tokë, për varre ne kurrë s’jemi ngopur’. Gjithmonë pati burra që kanë menduar, punuar dhe luftuar me vetëmohim për të arritur në këtë ditë. Mobilizimi i forcave të shumta ushtarake patriotike me synime të pastra çlirimtare bëri që në radhë të çlirimtarëve të renditen ata dhe ato që e deshën lirinë më shumë se jetën”, tha Latifi.

Në fushë të nderit, siç tha Latifi, ranë shumë dëshmorë dhe u vranë e u masakruan shumë gra, fëmijë, e të moshuar të pambrojtur.

Latifi: 24 vjet më parë, çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte larë me gjak

“Forcat e kombinuara serbe u larguan të mundura nga Rahoveci me 14 qershor 1999. Ndërsa, Ushtria Çlirimtare e Kosovës marshoi triumfalisht nëpër rrugët e këtij qyteti të shkatërruar e të djegur. Serbët ikën, por pas lanë shkatërrime të shumta. Shumë njerëz janë ende të zhdukur, pa gjurmë dhe ne nuk do të pushojmë asnjëherë së kërkuari sqarime për fatin e tyre. Ukshin Hoti dhe të tjerët që u rrëmbyen me dhunë peshojnë mbi supet tona si gur i rëndë, e kjo ndërlidhet në rrugëtimin tonë kolektiv, sepse asnjëherë nuk do të jemi të qetë pa mësuar për fatin e tij dhe të 1617 të pagjeturve, e shumë prej tyre janë edhe prej komunës tonë. Kaluan 24 vjet nga dita kur djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyn triumfalisht në Rahovec, së bashku me trupat aleate të NATO-s. Ishte dita e shumë pritur, sepse çdo pëllëmbë e kësaj toke ishte larë me gjak martirësh e dëshmorësh”, theksoi Latifi në seancën solemne.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Defrim Kafexhiu tha se 24-vjetori i çlirimit të Rahovecit kujton vuajtjet e nënave, fëmijëve e shumë civilëve të vrarë e të masakruar.

Kafexhiu: Çlirimin përfundimtar ne e paguam me gjak

“Në qershorin e 24 viteve më parë, vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës morën fund. Mori fund mizoria, shtypja e poshtërimi, mori fund tendenca dashakeqe për asimilimin e popullit shqiptar, tendenca e përvetësimit të tokave tona dhe pse të copëtuara ndër shekuj pa të drejtë e pa mëshirë. Qershorin e vitit 1999, shqiptarët e paguan ndër breza. Ndërsa, çlirimin përfundimtar ne e paguam me gjak, me gjakun pa çmim që është gjithçka për ne. Teksa sot me 14 qershor po e festojmë 24 vjetorin e çlirimit të Komunës së Rahovecit. Kjo ditë kremte na bën të ndihemi krenar, por krenaria zbehet kur kujtojmë sakrificën e dëshmorëve tanë. Kur kujtojmë vuajtjet e nënave për fëmijë, mallin e fëmijëve për prindër, kur kujtojmë civilët e pafajshëm të vrarë, gra, fëmijë e pleq të masakruar”, ka thënë ai.

Ish-luftëtari, Isuf Gashi u shpreh se kjo ditë është e rëndësishme për vendin.

Gashi: Kjo datë është shumë e madhe

“Kjo datë, është datë shumë e madhe. Gjaku i të rinjve tanë, i të gjithëve, kemi ardhur sot për të festuar ditën e çlirimit. Është ditë shumë e madhe. 24 vjet për individin janë shumë, për historinë janë 24 ditë. Ne kemi për të shkuar vetëm përpara...është ditë shumë e madhe që është larë me gjak. I vetmja rezistencë që ka bërë është qyteti i Rahovecit”, u shpreh Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat