Universiteti i Prishtinës organizoi për herë të tretë simpoziumin e diasporës në kompjuterikë, me temën "Intelegjenca Artificiale-Kosovë". Ky simpozium u vlerësua i rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet universiteteve, si dhe për të ndarë përvojat dhe bashkëpunuar në të ardhmen.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi u shpreh se në kuadër të punës si ministri, fokus e kanë diasporën, me qëllim që të avancojë rolin në bashkëpunim me diasporën shkencore dhe profesionale.
Ajo tha se duhet të gjendet një modalitet se si të angazhohet diaspora shkencore në kuadër të UP-së.
Gashi: Qëllimin kryesor kemi të avancojmë rolin dhe bashkëpunimin me diasporën shkencore dhe profesionale
"Mendoj që mbledhitë e tilla, simpoziumet e tilla na ofrojnë hapsirë për t’u njohur dhe e dyta për të bashkëkrijuar, për të parë cilat munden me qenë planet tona të përbashkëta për të ecur përpara. Këtu fillon rrugëtimi jonë me gjetë një modalitet qysh mundemi me angazhu diasporën shkencore në kuadër të Universitetit të Prishtinës, por edhe të universiteteve të tjera. Në kuadër të punës që po e bëjmë si ministri e punëve të jashtme dhe diasporës, fokusin tek diaspora, në kuadër të punës që unë personalisht si zëvendësministre e bëjë në ministrinë e punëve të jashtme, qëllimin kryesor kemi të avancojmë rolin dhe bashkëpunimin me diasporën shkencore dhe profesionale. Në teori është shumë i dobishëm angazhimi i diasporës, në praktikë ne qalojmë.”, tha ajo.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", Qerim Qerimi u shpreh se inteligjenca artificiale ka potencialin për të trajtuar disa nga çështjet më urgjente të botës sonë dhe për të krijuar një botë, ku teknologjia punon krah për krah me njerëzimin për të mirën e të gjithëve.
Tutje, Qerimi u shpreh se ndërsa qëndrojmë në agimin e së ardhmes së drejtuar nga Inteligjenca Artificiale, ne gjithashtu përballemi me sfida dhe përgjegjësi derisa zhbllokojmë potencialin e inteligjencës artificiale, sipas tij, duhet gjithashtu të sigurojmë që ajo të përdoret në mënyrë etike dhe me përgjegjësi dhe për të mirën e gjithë njerëzimit.
Qerimi: Ne jemi këtu për të gërmuar në botën magjepsëse të inteligjencës artificiale dhe aplikimet e saj të panumërta
"Ne jemi këtu për të gërmuar në botën magjepsëse të inteligjencës artificiale dhe aplikimet e saj të panumërta dhe kjo tashmë ka filluar të riformojë botën tonë dhe premton ta bëjë këtë edhe më shumë në vitet në vijim, një botë ku makinat mund të mësojnë, të përshtaten dhe të kontribuojnë në mënyra që dikur ishin pjesë e fant-shkencës. Kërkimi ynë për të kuptuar dhe përqafuar këtë kufi të dijes nuk do të ishte i mundur pa udhëheqjen e mendjeve të ditura dhe me përvojë si ju, sot jemi me fat dhe të nderuar që kemi mes nesh kaq shumë kolegë të jashtëzakonshëm e të talentuar nga diaspora jonë e çmuar. Puna juaj në këtë fushë vazhdon të frymëzojë studentët dhe profesionistët, duke nxitur një kuptim më të thellë të teknologjisë që supozohet të bëhet e rëndësishme për të ardhmen tonë.", tha Qerimi.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani e vlerësoi simpoziumin si shumë i rëndësishëm për të gjithë akterët e vendit.
Shabani: Të ndajmë përvojat dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen
"Ky simpozium është shumë i rëndësishëm, për të gjithë akterët e vendit tonë pasi do të kemi mundësi të mbajmë kontakte, të ndërtojmë marrëdhënie me pjesëmarrës nga universitete dhe teknologjia e informacionit në Kosovë dhe jashtë vendit. Të ndajmë përvojat dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen", tha ai.
Ndër të tjera, aie vlerësoi Universitetin e Prishtinës si të parin dhe më të madhin në tregun e dijes në Kosovë dhe që sipas tij, ky universitet që nga fillimi i tij është konceptuar për një lidership me rezistencë dhe zhvillim të vazhdueshëm.
Shabani u shpreh se Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike si pjesë integrale e UP-së, është i orientuar drejt një modeli kombëtar dhe ndërkombëtar të një fakulteti bashkëkohor.
Shabani: UP gjithmonë ka përgatitur studentë për të ardhmen e vendit
"Universiteti është vendi më i përshtatëm për të realizuar aspiratat e të sotmes dhe së nesërmes për të gjithë studentët dhe hulumtuesit. Për të qenë sa më afër shkencëtaret dhe hulumtuesit shqiptar nga diaspora, FIEK përgjatë dy dekadave të fundit ka organizuar disa ngjarje shkencore të kësaj natyre, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe për të kontribuuar në ndërkombëtarizimin e studimeve dhe hulumtimeve që ofrohen në kuadër të fakultetit, krijimin e urave lidhëse në shtetet dhe universitetet prestigjioze botërore që është një obligim kombëtar", tha dekani i FIEK.
Po ashtu, Shabani tha se janë në bashkëpunim me disa universitete prestigjioze të Danimarkës. Ai tha se FIEK ka dy dekada që ka vendosur në plan programet e studimeve lëndë në të gjitha studimeve nga fusha e inteligjencës artificiale.
Dekani i FIEK, ndër të tjera tregoi se në vitin që lamë pas, kapitalistët sipërmarrës kanë investuar rreth 67 miliardë dollarë në kompanitë që pretendojnë se janë socializuar me inteligjencën artificiale.