Komuna e Vushtrrisë organizon “Ditët e Diasporës”, Idrizi e çmon kontributin e tyre

Kosova

Komuna e Vushtrrisë organizon “Ditët e Diasporës”, Idrizi e çmon kontributin e tyre

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 08:58
Pamje nga “Ditët e Diasporës”

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur aktivitete të ndryshme kulturo-artistike, të titulluar “Ditët e Diasporës”. Me këtë rast, i pari i Vushtrrisë, Ferit Idri, çmoi lartë rolin dhe kontributin e diasporës vushtrriasve, duke përmendur etapa të ndryshme të shtetësisë.

Tha se rol të madh kanë dhënë ndër vite, duke filluar nga paslufta e deri më sot.

“Jemi shumë të gëzuar sonte që bashkërisht e ndajmë këtë natë që me fillimin e takimeve tradicionale tanimë ‘Ditët e Diasporës’. Neve na ndajtën dikur dallkët e egra të dhunës dhe terrorit por na bashkoi atdheu, na bashkoi vendlindja e na bashkoi Kosova për të cilën ju dhatë mundin, sakrificën, lotin dhe gjakun dhe tani ajo që na ndajti dikur sot na bashkon vendlindja, sot na bashkon liria e Kosovës”, tha Idrizi, teksa përmendi edhe krijimin e një platforme për regjistrimin e diasporës.

Idrizi e konsideron diasporën si shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik në vend.

“Ju dhatë gjithçka për lirinë e Kosovës, për familjet e juaja andaj ndjehuni ngrohtë në familjet e juaja e në vendin tonë të përbashkët për të cilën ju dhatë mundin, ndjersën dhe sakrificën. Komuna e Vushtrrisë, tanimë i ka bërë tradicionale ‘Ditët e Diasporës’. Ne pos të tjerash kemi hapur edhe një platformë për regjistrimin e diasporës sepse kontributi dhe roli i diasporës ka qenë prej vitesh dhe mbetet shtylla qendrore e zhvillimit ekonomik të Vushtrrisë por edhe tërë Kosovës”, tha ai.

Për fund, kryetari Idrizi ka ndarë disa mirënjohje për kontribuesit nga diaspora.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat