​Si ndikon depresioni te njerëzit gjatë dimrit, flasin psikologët

Kosova

​Si ndikon depresioni te njerëzit gjatë dimrit, flasin psikologët

Më: 28 janar 2024 Në ora: 10:22
Kristian Halilaj

Ndryshimi i stinëve mund të ndikojë jashtëzakonisht në shëndetin mendor, temperaturat e ulëta dhe mungesa e dritës së diellit mund të kenë ndikim të madh në disponimin dhe energjinë e njeriut.

Disa nga simptomat që shfaqen janë një lloj depresioni që ka të bëjë me çrregullimin e emocioneve, e cila shoqërohet nga mungesa e vullnetit dhe motivit, pasiviteti dhe lodhja emocionale.

Psikologët këshillojnë se mënyra më e mirë për t’i shmangur këto simptoma janë ushqimet me vitaminën D, aktivitetet fizike, ekspozimi para diellit.

Kristian Halilaj, psikolog, thotë për KosovaPress se stina e dimrit ndikon negativisht te disa persona, pasi niveli i dritës bie dhe rrezet e diellit nuk shfaqen njësoj sikurse në stinën e pranverës dhe në verë.

Halilaj: Njerëzit burimin kryesor të energjisë e marrin nga dielli

“Stina e dimrit ndikon negativisht shpeshherë te disa persona të caktuar, pasi që niveli i dritës bie dhe rrezet e diellit nuk shfaqen në mënyrë të njëjtë sikur në stinët e pranverës dhe verës. Mungesa e dritës dhe nxehtësisë shkakton ngadalësim të lëvizjeve të njerëzve dhe ndryshimeve emocionale, pasi dihet që njerëzit burimin kryesor të energjisë e marrin nga dielli. Disa nga simptomat të cilat shfaqen te njerëzit janë përgjumja, mungesa e fuqisë, motivit, përqendrimit dhe pasiviteti, por shpeshherë kanë edhe lodhje emocionale, duke u përballur me sfida të ndryshme,” tha Halilaj.

Halilaj thotë se këto simptoma shfaqin luhatje emocionale, si përgjumje dhe mungesë të vullnetit.

Halilaj: Ky lloj depresioni është një çrregullim sezonal i emocioneve

“Këto simptoma dhe kjo gjendje shkakton luhatje emocionale, dhe ky lloj depresioni është një çrregullim sezonal i emocioneve, ku karakterizohet me simptoma të mungesës të vullnetit, përgjumje, mungesë motivi për jetë dhe ngadalësim të lëvizjeve në jetën e tyre,” tha ai.

Halilaj këshillon njerëzit që të marrin ushqime që posedojnë vitaminën D, të merren rregullisht me aktivitete fizike, por në rast të shfaqjes së mendimeve depresive atëherë të bëjnë një vizitë te psikologu.

Halilaj: Të konsultohen me një psikolog që të shmangin mendimet negative në jetë

“Një ndër hapat që njerëzit duhen të marrin dhe me pas në konsideratë është ushqimi i shëndetshëm dhe sidomos ushqimi me vitaminën D, në mënyrë që të përforcojnë lëvizjet e tyre dhe të ngrenë fuqinë e lëvizjes, në mënyrë që të mos ndikojë në aspektin emocional dhe mendor... Nevojitet të kemi një aktivitet fizik konstant dhe të vazhdueshëm, të gjejmë momente kur mund të ekspozohemi para diellit dhe kur kemi mendime depresive apo mendime negative patjetër që është mirë të konsultohet një psikolog, i cili do t’i trajtojë këto mendime negative, në mënyrë të gjetjes së motivimit dhe shpresës, e cila na nxit për t’iu kundërvënë mendimeve negative dhe destruktive të jetës tonë,” tregon Halilaj. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat