Një burrë ka vdekur të mërkurën, më 03.07.2024, si pasojë e lëndimeve që kishte pësuar pasi ishte rrëzuar nga një objekt ku po punonte në Lipjan.
Viktima ka vdekur teksa ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e për këtë ngjarje u arrestuan dy persona, pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës.
Lidhur me këtë rast, kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes së punëtorit që vdiq si pasojë e lëndimit në vendin e punës.
Ky rast u tha se është rasti i parë këtë vit i vdekjes së punëtorit në vendin e punës si pasojë e kushteve të punës.
“Nikçi apelon tek të gjitha kompanitë, sidomos tek ato të sektorit të ndërtimtarisë, që ta respektojnë Ligjin Nr. 04/L-161 për Siguri dhe Shëndet në Punë, dhe apelon tek të gjithë punëtorët që të raportojnë në Inspektoratin Qendror të Punës pa rregullsitë në vendet e tyre të punës të cilat mund të qojnë në aksidentimin e tyre” – u tha në njoftim.
Tutje u shtua se Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve në të gjitha kompanitë.