Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku- Sadriu ka thënë se Ministria e Arsimit ka dështuar për herë të dytë që t’i sigurojë librat për nxënësit dhe se sipas saj kjo tregon që kjo ministri është e paaftë të përmbushë obligimin e saj ligjor.
Lushaku-Sadriu në një konferencë për media së bashku me disa mësimdhënës të Komunës së Prishtinës, ka deklaruar se është e sigurtë që fëmijët nuk do t’i kenë librat më 1 shtator dhe se do të ketë vonesa në furnizim.
Lushaku-Sadriu: Ministria e Arsimit ka dështuar për herë të dytë t’i sigurojë librat për nxënësit
“Dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë librat, tekstet shkollore për nxënësit e Kosovës dhe kjo tregon se kjo ministri është e paaftë ta përmbushë obligimin e saj ligjor për t’i siguruar librat. Tek e fundit është tepër e rëndësishme jo sa para marrin prindërit, por a i kanë fëmijët librat në bankat shkollore më 1 shtator, rrjedhimisht më 2 shtator dhe kjo del që është e sigurtë që nxënësit nuk do t’i kenë librat, do të ketë vonesa në furnizim sepse prindërit edhe deri sot nuk i kanë informacionet bazike se ku do t’i marrin librat, kur do të subvencionohen, cila do të jetë procedura e aplikimit për subvencion dhe ka përcjellje të shumë problemeve të tjera që dalin nga kjo”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu, ndër të tjera ka thënë se shqetësues mbetet fakti që pavarësisht kritikave që kanë bërë për metodën e subvencionimit, nuk kanë informata se a është kjo metodë më lirë apo më shtrenjtë.
Derisa, ka shtuar se vendimi i Ministrisë së Arsimit për subvencionim është i vonë, pasi që mësimi fillon vetëm edhe dy javë.
Lushkau-Sadriu: Vendimi për subvencionim i vonë, mësimi fillon edhe dy javë
“Madje është tepër shqetësuese që përkundër faktit që edhe vjet i kemi kritikuar Qeverinë për këtë mënyrë, për këtë metodë, nuk kemi ardhë në informacion se a ka qenë subvencionimi ose kjo metodë më e lirë për buxhetin e Kosovës apo më e shtrenjtë. Ne kemi thënë vjet, kemi aluduar që kjo metodë do të jetë më e shtrenjtë se është ndryshe që Qeveria në emër të 300 mijë nxënësve të arrijë një marrëveshje për blerje me një çmim të favorshëm të librave me shtëpitë botuese, dhe është krejt ndryshe kur Qeveria i subvencionin prindërit, ia gjuan obligimin e blerjes së librave dhe prindërit shkojnë në librari për t’i blerë librat....Ky vendim është marrë madje në një kohë shumë të vonë, duke mos e marrë parasysh që më 1 shtator fillon mësimi dhe ne jemi vetëm dy javë përpara, garantohet që prindërit nuk do të arrijnë t’i sigurojnë mjetet dhe rrjedhimisht është një vendim i vonshëm që do të reflektojë në furnizim të vonshëm dhe në humbje të orëve dhe humbja e orëve është diçka shumë shqetësuese sepse fëmijët nuk arrijnë që t’i kuptojnë mësimet, t’i realizojnë njësitë mësimore, madje paraqet vështirësi edhe për shkollën vet edhe ushtrimet dhe plan-programin siç është e paraparë”, ka deklaruar drejtoresha Lushkau-Sadriu.
E, për vendimin e sotëm të Qeverisë e cila ka ndarë mjete për subvencionim për tekstet shkollore, Lushaku-Sadriu, ka thënë se janë të bindur që kjo metodë është më e shtrenjtë.
Lushaku-Sadriu: Jemi të bindur që metoda për subvencionim me tekste shkollore është me më shumë probleme
“Sot u ndanë edhe 6 milionë shtesë që do të thotë që vetëm vjet kanë kushtuar librat rreth 17 milionë euro vetëm për klasat e para deri tek të pestat. Për këtë plan që e ka zhvilluar këtë vit Ministria e Arsimit planifikon që t’i subvencionojë me 110 euro edhe nxënësit e klasave të gjashta deri tek të nëntat që dyfishohet numri i nxënësve dhe rritet kostoja shumë më shumë dhe pyetja jonë legjitime është sa është totali i shpenzimit dhe sa është diferenca nëse ministria do ta bënte metodën të cilën e kanë bërë më herët qeveritë e tjera. Ne jemi të bindur që kjo metodë është më e shtrenjtë, është më me shumë probleme për familjet për prindërit dhe me dëme të jashtëzakonshme”, është shprehur Lushaku-Sadriu.