Një delegacion i UNICEF-it vizitoi Qendrën Edukuese Korrektuese për të Mitur, ku u njohën nga afër me zhvillimin e programeve edukative dhe risocializuese që ofrohen për të miturit që qëndrojnë në këtë institucion.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e UNICEF-it patën mundësinë të bisedojnë me të rinjtë e qendrës, të cilët ndanë me ta përvojat e tyre gjatë qëndrimit aty.
Ata folën për mësimet e nxjerra, aftësitë e reja që kishin fituar, dhe ndikimin e këtyre programeve në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Përveç kësaj, të miturit ndanë planet e tyre për të ardhmen, duke shprehur interes për vijimin e shkollimit, ndjekjen e trajnimeve profesionale dhe mundësitë e punësimit.
Përfaqësuesit e UNICEF-it vlerësuan përkushtimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e të miturve, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen në këtë drejtim.