Komuna e Hanit të Elezit ka organizuar shqyrtimin kryesor për Draft Planin Zhvillimor Komunal 2025-2033, i cili do të jetë i hapur 30 ditë nga mbajtja e shqyrtimit publik, pra deri me datën 15 maj. Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) është plan strategjik, i cili mbulon tërë territorin e komunës, duke përfshirë zonat urbane dhe fshatrat brenda komunës.
PZHK është plan sektorial që përcakton qëllimet afatgjata të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor.
Sipas ekzekutivit të kësaj komune, ky draft-plan ka kaluar nëpër disa procese, duke filluar nga themelimi i grupit drejtues dhe punues, mbledhja e të dhënave nga institucionet relevante në terren, të dhëna të rishikuara dhe analizuar në GIS System, krijimi i databazës, etj.
“Komuna e Hanit të Elezit ka mbajtu procesverbal për këtë shqyrtim publik, ku do të evidentohen të gjitha rekomandimet, propozimet, sugjerimet dhe komentet e pjesëmarrëse, gjithashtu drejtoria dhe zyret përkatëse do të jenë në gatishmëri për të mirëpritur propozimet, rekomandimet e komentet e personave të tjerë përmes paraqitjes me email zyrtar, mesazhe në platformat zyrtare, si dhe kërkesat e parashtruara përmes Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve”, thuhet në njoftimin e komunës.