Nis pastrimi i deponive në rrugët që çojnë drejt Malit Sharr

Kosova

Nis pastrimi i deponive në rrugët që çojnë drejt Malit Sharr

Më: 10 maj 2025 Në ora: 19:31
Mali Sharr

Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Saubermacher, ka nisur aksionin për pastrimin e deponive të krijuara në disa pika nëpër rrugët e malit Sharr.

Krijimi i deponive nëpër Sharr, vitin e fundit është reduktuar në tejmasë, megjithatë, ky fenomen vazhdon të jetë prezent.

Kreu i komunës Bilall Kasami, ka apeluar banorët që të mos krijojnë deponi të tilla nëpër rrugët e malit Sharr, raporton Alsat Maqedoni.

“Komuna po punon në mënyrë permanente për zgjidhjen e këtij problemi. Aktualisht po punojmë afër me ndërmarrjen Saubermacher që të bëj grumbullimin e rregullt dhe në kohë të mbetjeve nga zonat e malësisë, dhe në gjitha lokacionet e identifikuara si problematike dhe me potencial për tu bë deponi të egra, ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Ekologjisë por edhe me ndërmarrjen e komunës që këto deponi t’i pastrojmë. Patjetër që brenda këtij muaji patëm aksion me partnerin ndërkombëtar “Generalka” që filloi pastrimi i gjitha deponive në rajonin e Tetovës, por edhe me këtë aksion edhe në mënyrë të vazhdueshme do të vazhdojmë punën për një qytet më të pastër”, tha Kasami.

Pikërisht shkaku i mbrojtjes së Sharrit nga krijimi i deponive jo legale dhe investimi në mirëmbajtje, detyroi Parkun Kombëtar të vendosë taksën për gjitha automjetet në rrugët e Sharrit.

“Për çdo makinë duhet të paguhet 150 denarë. Insistimi në fillim ishte të paguhet për person por mbeti pagesa vetëm për makinat. Do të jetë gjë e mirë, sepse po mundohemi ta mbajmë më pastër edhe parkun kombëtar, por edhe të iniciojmë nisma të atilla që të zhvillojmë parkun më së miri. Por meqë si drejtori jemi me vetëfinancim, ky projekt do e ndihmojë drejtorinë shumë”, tha Emir Huseini drejtor i Parkut Kombëtar Mali Sharr.

Numri më i madh i deponive nëpër malin Sharr, janë në fshatrat më të largëta malore, ku edhe pse nga komuna dhe Ministria e Ekologjisë janë pastruar disa herë, ato janë krijuar sërish nga qytetarë të pandërgjegjshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat