Blegtorët dukagjinas ankohen se po bie numri i bagëtive dhe deleve

Kosova

Blegtorët dukagjinas ankohen se po bie numri i bagëtive dhe deleve

Më: 24 maj 2025 Në ora: 20:05
Abedin Binakaj

Blegtorët dukagjinas po ankohen se fondi i bagëtive të deleve po pëson rënie në këtë rajon. Sipas tyre, kjo po ndodh për shkak se kjo veprimtari është shumë pak fitimprurëse.

Edhe pse kërkesat e konsumatorëve për prodhimet blegtorale janë duke u rritur dita ditës, fondi i bagëtive, sidomos i deleve, në rajonin e Dukagjinit është duke shënuar rënie të madhe. Ata pak blegtorë të cilët po merren me këtë veprimtari jo pak fitimprurëse, po shprehen të habitur me këtë gjendje aspak të dëshirueshme.

“Në fshatin Dranoc së paku kanë qenë 100 tufë, nuk ka pas shtëpi që nuk i ka pasur dele, lopë kuaj, po pas lufte nuk e di çka është ka ndodhë dhe ku mbet kjo punë.  I vetmi njeri jam në fshatin tim me 300 shtëpi që hala jam me këtë zanat se nuk do askush të merret në kohën kur është ngritë si qumështi, mishi, delja, lopa të gjitha po nuk ka këto po zhduken. Edhe unë si i vetëm sa ta zgjas kështu, edhe kjo punë në fshatin tonë zhduket”, tha për RTK, Abedin Binakaj, blegtor.

“Nuk ka dele ma, shumë ka ra numri e ne kemi mbetur një moshë e vjetër. Njerëzit vijnë e kërkojnë djathin, qumështin, mishin, të gjitha i kërkojnë. Paret ti jepon para kohe dhekjo është shumë e mirë të jep edhe vullnet me punue. A mos me e pas njërin djalë as unë nuk mundem se i kam ba 60 vjet e eshte pak me ndryshe”, tha Nezir Rexha.

Të brengosur me rënien e fondit të bagëtive janë shprehur edhe zyrtarët komunalë e po ashtu edhe njohës të fushës së blegtorisë. Mirëpo thonë ata, institucionet po mundohen vazhdimisht të jenë pranë tyre.

“Sa u përket blegtorëve është një vullnet se edhe qumështi po paguhet mirë, subvencionet janë stimuluese por jo ndoshta mjaftueshëm sa i kanë shpenzimet fermerët sepse ata kanë shpenzime të mëdha dhe është një mundi shumë i madh i tyre, veç se edhe ministria edhe komuna po qëndrojmë pranë tyre për t’ua lehtësuar deri diku punët e këtyre fermerëve të vyeshëm”, tha Gani Hajdaraj, drejtor në DBZHR Gjakovë.

“Produktet blegtorale çka disponojnë blegtorët as 20% nuk i plotësojnë kërkesat, kështu që i kisha apeluar edhe institucionet lokale dhe ato qendrore që në planet e ardhshme zhvillimore të stimulohen blegtorët të cilët dojnë me i shtuar tufat e tyre dhe blegtorët e rinj që dëshirojnë të merren me blegtori t’ju mundësohet shtimi i krerëve të deleve”, Bajram  Çeku, njohës i blegtorisë - Deçan.

Sipas statistikave zyrtare, deri nga fundi i viteve të 90-ta,vetëm në komunat Deçan dhe Gjakovë kishte rreth 45 mijë krerë dele.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat