Sot kujtohet Nëna Pashke Krasniqi-Markaj, e cila ditën e 27 majit 2003, i vuri flakën vetës pasi ia kthyen trupat e djemve - Gjovalinit dhe Milanit - të vrarë dhe më pas të zhdukur me forcë nga Serbia.
Gjovalin dhe Milan Markaj ishin mes 374 të civilëve të vrarë më 27 prill 1999, në masakrën e kryer nga forcat serbe në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës. Ata ishin të zhdukur deri në vitin 2003.
Djemtë Markaj u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
Më 24 maj 2003 u bë rivarrimi i Gjovalinit dhe Milanit. Tri ditë më pas, pasi e kreu të pamën, nëna Pashke i vuri flakën vetës, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhimbjes për të bijtë, shkruan kp.
Aktin e vetëflijimit, Nëna Pashke kishte zgjedhur ta kryente në mes të shtëpisë dhe vendit ku janë varrosur djemtë e saj.
Më pas, Pashke Markaj është varrosur disa kilometra larg shtëpisë, në varrezat katolike të fshatit Korenicë në Gjakovë.