Në Ditën e Çlirimit të Istogut, në fshatin Vrellë u përurua memoriali ku janë rivarrosur eshtrat e 34 dëshmorëve të komunës, të rënë për lirinë e Kosovës. Kjo ditë, përveçse një përkujtim solemn për sakrificën e popullit, u shënua edhe si një moment i rëndësishëm i përmbylljes së një procesi të ndjeshëm dhe të gjatë rivarrimi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ky memorial do të jetë përjetësisht dëshmi e gjakut të derdhur, dëshmi e trimërisë dhe e lavdisë e cila siç tha ajo nuk do të zbehet asnjëherë.
Osmani potencoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zemra e rezistencës tonë kombëtare dhe betimi i përgjakur i një populli që për dekada u mohua, por nuk u përkul.
Osmani: Ky memorial do të jetë përjetësisht dëshmi e gjakut të derdhur, e trimërisë dhe e lavdisë
“Kombet sikurse ky i yni rilindin çdo herë nëpërmjet dëshmorëve. Prandaj, sot jemi mbledhur në fshatin Vrellë të Istogut në këtë tokë që frymon me krenari e dhimbje për të përkulur me nderim para dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për tu përkulur të gjithë së bashku para bijve dhe bijave më të denjë të kombit tonë që u flijuan për lirinë që e gëzojmë sot...Po e përurojmë këtë memorial i cili do të jetë përjetësisht dëshmi e gjakut të derdhur, dëshmi e trimërisë dhe e lavdisë e cila nuk do të zbehet asnjëherë. Vrellën, Istogun dhe Kosovën e nderon sot historia...Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte zemra e rezistencës tonë kombëtare. Ishte betimi i përgjakur i një populli që për dekada u mohua, u përbuz, u përsekutua por kurrë nuk u përkul para okupatorit”, tha Osmani.
Ndërkaq, Kryetari i Istogut, Ilir Ferati tha se ky memorial është dëshmi e përjetshme se Kosova nuk është çliruar rastësisht. Ai potencoi se Kosova u çlirua me shumë mund, dhimbje dhe sakrificë sublime, shkruan kp.
Ferati: Ky memorial është dëshmi e përjetshme se Kosova nuk është çliruar rastësisht
"20 qershori dita kur Istogu e pa dritën e lirisë. Dritë kjo që nuk erdhi vetvetiu, por që ndriçoi nga flijimi vetëmohues i bijve dhe bijave tona, i dëshmorëve që sot e deri në përjetësi prehen në këtë vend të bekuar. Jemi mbledhur këtu pranë bjeshkëve më të bukura të republikës sonë, për një akt sakrifice dhe krenarie, sepse ata të cilët janë rivarrosur këtu, janë gjaku që u skalit mbi historinë tonë dhe mbi këta gurë sot. ata nuk e kërkuan lirinë, ata e fituan lirinë...Ky memorial është dëshmi e përjetshme se Kosova nuk është çliruar rastësisht. Kosova u çlirua me shumë mund, dhimbje dhe sakrificë sublime", potencoi Ferati.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë së Kosovës, Ramush Haradinaj falënderoi të gjithë për angazhimin në ndërtimin e memorialit dhe familjet që dhanë pëlqimin për rivarrimet.
Ai theksoi se liria është përgjegjësi dhe se Kosova dëshiron paqe në rajon, përfshirë një marrëveshje për njohje me Serbinë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Haradinaj: Iu falënderoj të gjithëve për angazhimin e juaj që ky memorial vërtetë ta merr dimensioni e vetë të duhur
“Iu falënderoj të gjithëve për angazhimin e juaj që ky memorial vërtetë ta merr dimensioni e vetë të duhur. Këtu të pushojnë eshtrat e bashkëluftëtarëve tanë. U falënderoj familjet që e kanë dhënë pëlqimin...Liria është edhe përgjegjësi, nuk është vetëm fitore. Në liri duhet të kujdesemi që të jetojmë të lirë. Të gjithë ata që jetojnë me ne, ne jemi shumicë shqiptare, kemi qenë këtu, do të jemi çdo herë dhe do ta kemi lirinë e përjetshme...Iu siguroj që Kosova dëshiron paqe në rajon, atë e kemi thënë disa herë, vazhdojmë ta themi. Duam paqe edhe me Serbinë, duam një marrëveshje për njohje sa më shpejtë që është e mundshme”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, në emër të familjeve të dëshmorëve, kryetari i OVL-UÇK-së, Muhamet Demaj tha se procesi i rivarrimit të 34 dëshmorëve në Istog zgjati mbi tre muaj dhe u shoqërua me sfida, por nuk u ndal asnjëherë. Ai falënderoi familjet që treguan kurajo për të vendosur që të afërmit e tyre të prehen në paqe.
Demaj: Ky proces zgjati mbi tre muaj, pati vështirësi dhe sfida, por ne nuk u ndalmë për asnjë moment
“Sot jemi këtu jo vetëm për ta festuar Ditën e Çlirimit të Istogut, por edhe për të përmbyllur një proces shumë të rëndësishëm të rivarrimit të dëshmorëve të kombit në komunën tonë. Më 14 qershor kemi bërë rivarrimin e 34 dëshmorëve me nderimet më të larta ushtarake që ka parë ndonjëherë Kosova. Ne si organizata të dala nga lufta e UCK-së filluam këtë proces bashkë me Agjencionin për Menaxhimin e Monumenteve dhe Memorialeve. Ky proces zgjati mbi tre muaj. Gjatë kësaj kohe pati vështirësi dhe sfida. Por, ne nuk u ndalmë për asnjë moment. Ju si familjarë të dëshmorëve përjetuat momente që nuk ishin të lehta. Faleminderit familjeve të dëshmorëve që gjetët kurajon për të vendosur që më të afërmit e juaj, dëshmorët të prehen këtu në paqe”, tha Demaj.
Më 20 qershor, Istogu shënoi 26-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi serb, një ditë me peshë historike që për qytetarët e këtij qyteti simbolizon triumfin e lirisë dhe sakrificën kolektive.